Senati i Universitetit të Prishtinës miraton masat disiplinore ndaj ish-rektorit Enver Hasani për shkelje të rënda etike
Senati i Universitetit të Prishtinës ka miratuar me shumicë votash vendimin e Këshillit të Etikës, me të cilin ish-rektorit dhe profesorit Enver Hasani i shqiptohen masa disiplinore për shkelje të rënda të Kodit të Etikës dhe obligimeve akademike.
Vendimi i Senatit vjen pas pranimit të vendimit pozitiv nga Agiencia për Parandalimin e Korrupsionit e udhëhequr nga Yll Buleshkaj e cila ka mbështetur vendimin e Këshillit të Etikës të Universitetit të Prishtinës me numër protokolli 1/742. Ky vendim ishte nënshkruar nga prof. Flamur Hyseni dhe prof. Furtuna Sheremeti.
Rasti kishte të bënte me denoncimin e bërë nga Prof. Asoc. Avni Puka, Dekan i Fakultetit Juridik të UP-së, fillimisht më 26.08.2024 dhe i përsëritur për trajtim më 16.05.2025, përmes “Kërkesës për shqyrtim të denoncimit ndaj z. Enver Hasani të datës 26.08.2024”. Denoncimi kishte të bënte me shkelje të rëndë të Kodit të Etikës të Universitetit të Prishtinës dhe obligimeve akademike, duke u bazuar në Raportin e monitorimit nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA), si dhe në fakte dhe prova të tjera relevante.
Sipas Opinionit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (Referencë: APK-DPKI-1270/24, datë 17.12.2024), njëra nga pikat kryesore të denoncimit kishte të bënte me mosmbajtjen e ligjëratave gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 dhe vënien në lajthitje të institucionit përmes kompensimit për normë dhe mbinormë pa mbajtur mësim, në kundërshtim me obligimet kontraktore.
Pas pranimit të vendimit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, të datës 23 janar 2026, Senati i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e tij, miratoi vendimin e Këshillit të Etikës të datës 14 korrik 2025, duke i shqiptuar ish-rektorit Enver Hasani masa disiplinore për shkelje të rënda etike.





