Serbët kanë aftësi të veçanta për të indoktrinuar me shpifje (25)

07 gusht 2020 | 11:35

Shkruan: Kudusi Lama

Dihet, askush nga udhëheqësit e luftës çlirimtare nuk duhet lënë pa pjesë të ardhurash financiare në rrugë kriminale. Kështu që nuk mund të lihet pa pjesë edhe Xhavit Haliti si ideolog dhe udhëheqës i spikatur i luftës për çlirimin e Kosovës. Ndaj unë nuk habitem që edhe atij ia kanë gjetur dikë, për të bashkëpunuar që të fitojë të ardhura, që nuk dihet pse i përdorë, por që tani për tani akoma nuk ia kanë gjetur vendin se ku i mban paratë, veçse ia kanë gjetur bashkëpunëtorët.

Sa të lehtë e ka pasur zotëri Marty ta përpilojë raportin për Evropën? Sa të mbushur e ka agjendën kriminale duke u mbështetur në shpifjet dhe akuzat e Serbisë? Por a do të mund ta mbrojë këtë raport tani që u themelua tribunali për krimet e luftës së UÇK-së?

Në këtë moment më kujtohet libri i presidentit Bill Klinton “Jeta ime”, botuar pas dorëzimit të detyrës së presidentit të ShBA-së. Ai në librin e tij, ndër të tjera, trajton edhe çështjen e emërimit të prokurorit të pavarur për hetimin e presidentit të ShBA-së. Unë përmbledhtas do të bëj një pasqyrë të asaj që shkruan presidenti Bill Klinton: “Kur mora detyrën e presidentit, – tregon ai – Partia Republikane, meqenëse kisha qenë për rreth 16 vjet në detyra shtetërore i zgjedhur me votat e popullit, kishte krijuar mendimin se unë diku duhet të isha korruptuar, ndaj kërkoj që të emërohej një prokuror i pavarur për të hetuar presidentin. Unë – thotë Bill Klinton – duke marrë në analizë veprimtarinë time dhe duke ditur se kisha punuar me ndershmëri, e bëra dekretimin e këtij prokurori të pavarur për të hetuar presidentin, por duket se bëra gabimin më fatal të jetës time, pasi: ky prokuror i pavarur, për 8 vjet, përveç që shpenzoj mbi 65 milion dollarë të taksapaguesve amerikanë, për 8 vjet më nxiu jetën mua dhe familjes time, mori nën hetim të gjithë njerëzit që kishin pasur fatin e keq në jetë që më kishin njohur mua, kishin qëndruar apo kishin pirë një kafe me mua, të cilët i trajtoi me një presion të madh për të treguar çfarë dinin për jetën time. Ashtu sikurse burgosi katër persona, (presidenti Klinton u përmend edhe emrat) vetëm pse nuk kishin pranuar të firmosnin deklaratat që u kishte vënë përpara për të firmosur, në të cilat shpifej kundër presidentit”.

E tregova këtë episod, që të kuptojnë të gjithë luftëtarët dhe udhëheqësit e komandantët e UÇK-së e të luftës çlirimtare të Kosovës, se edhe ky tribunali i pranuar politikisht nga Kosova, do të jetë e do të veprojë si ai prokurori i pavarur që hetoi presidentit Klinton, do të persekutojë e keqtrajtojë shumë njerëz sidomos pjesëmarrës të luftës, pse nuk do të shpifin kundër komandantëve të tyre, që Serbia do t’i njollosë, sepse ajo me shpifjet e saj i ka njollosur me kohë, por në fund e vërteta ka për të qenë madhështore ashtu siç ka qenë madhështore Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj.

“Familja Kitaj është grupi kriminal udhëheqës, që kontrollon zonën ndërmjet Klinës dhe Istogut. Është e shkathët në kontrabandën e automjeteve të vjedhura dhe në shitjen e lëndëve plasëse në Kosovë – Metohi”.[1]

Besoj nuk çuditet askush që nuk lihet asnjë pëllëmbë e tokës së Kosovës pa u mbuluar me rrjet kriminal nga më monstruozët. Kjo nuk bëhet pa qëllim. Edhe atje ku nuk ka emra që duhen goditur duhet të ketë patjetër krim të organizuar, këtë objektiv ka vënë Serbia dhe përdorë të gjitha mjetet për ta bërë sa më të besueshëm, sepse gjithkush e në radhë të parë Evropa dhe populli shqiptar duhet të binden se Kosova nuk mund të ketë të ardhme pa Serbinë. Se pa Serbinë Kosova nuk mund të zhvillohet, se e mbyt krimi e kriminelët, se është e destabilizuar dhe se askush nuk mendon për të mirën e saj veç Serbisë.

“Klani kriminal Suma vepron në zonën e Kaçanikut. Krahas reketimit dhe shantazhit, merret me kontrabandën e armëve dhe të drogës nga Maqedonia në Kosovë – Metohi e anasjelltas.  Anëtarët e klanit Suma janë të lidhur me grupin që udhëheq Rrustem Mustafa, i quajtur “Remi” nga Podujeva”.[2]

Nuk mund të lihet pa iu vënë emri edhe Kaçanikut, pasi andej kalon rruga për në Maqedoni dhe patjetër që edhe atje meqë ka rrugë duhet të ketë edhe krim edhe kriminelë. Dhe janë shpifje të tilla që mjaftë djem të luftës kanë vuajtur deri sot e do të vuajnë edhe më tej, deri kur të ndërgjegjësohen evropianët e ndershëm, (jo zotëri Marty se ai është i ndërgjegjësuar plotësisht por është me mision) e t’i thonë Serbisë dhe gjithë atyre që abuzojnë me shpifje të tilla – mjaft më. Që ky moment do të vijë këtë unë e di mirë dhe dua të jenë të bindur të gjithë shqiptarët, por deri kur të vijë ky moment djemtë e luftës do të na i lodhin pikërisht me shfaqje të tilla monstruoze.

“Klani Syla bashkërendon zinxhirin e krimit të organizuar, që vepron në territorin e Kosovë – Metohisë dhe të Maqedonisë, në planin e importit ilegal të  armëve, municioneve e pajisjeve të tjera”.[3]

Bile unë mendoj se Klanit Syla i kanë lënë pak hapësirë. Vetëm ka një gabim të vogël, ai nuk është klan, por rrjet kombëtar, që do të qëndroj gjithmonë i freskët, për të mos e lejuar Serbinë të bëjë çfarë do. Veçse jo me kriminalitet, siç e vesh Serbia por me veprimtari kombëtare në paqe e në luftë, për të mos lënë asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nën sundimin skllavërues e kolonizues të Serbisë. Mua nuk më impresionon fare mënyra se si flet Serbia, por më shqetëson fakti që në Evropë ka akoma njerëz të veshur edhe me pushtet politik që i marrin seriozisht ato që thotë Serbia, deri kur ta kuptojnë se ajo mashtron dhe ka mbetur në politikën mesjetare.

“Anëtarët e familjes Agushi veprojnë në zonën e Klinës. Merren me shantazhin e parave nga shqiptarët, të cilët janë kërcënuar me dhunë të mbledhin paraprakisht pronat dhe pasuritë serbe të grabitura në komunën e lartpërmendur, si dhe me shantazhin e blerësve potencial”.[4]

A ka tjetër zonë që duhet përgojuar? Të gjithë lexuesit duhet të nxjerrin vetë konkluzione për të vlerësuar banalitetin e të gjitha deklarimeve të Serbisë e të zotit Marty.

Nga sa shkruhet duket sikur në Kosovë nuk bëhet asnjë punë prej kur aty nuk sundon Serbia. A ka njeri të paktën ndër shqiptarët që e beson një gjë të tillë? Unë besoj se çdo shqiptar ka fuqinë të japë përgjigjen e duhur për të gjitha shpifjet që vihen në evidencën e këtyre deklarimeve serbe dhe të rinovuara prej zotit Marty.

“Klani Geci është aktivizuar në zonën e komunës së Pejës, Mitrovicës, Serbicës dhe Prishtinës. Merret me kontrabandën e benzinës dhe bashkëpunon me Xhevat Halitin dhe familjen Selimi”.[5]

Lidhje të çuditshme, që askush me arsye të shëndoshë nuk arrin t’i asimilojë. Sidoqoftë, Serbia duke bërë këto arsyetime shpifëse ka arritur të krijojë një mjegullnajë që t’i bëjë me dyshim të gjithë ata që nuk e njohin gjendjen. Dhe qëllimi i saj ndoshta është edhe ky, që të gjithë të painformuarit të marrin kallëp çfarë thotë Serbia dhe t’i konsiderojnë të vërteta duke paragjykuar djemtë e luftës, që realisht unë kam konstatuar edhe se ka të tillë të pa informuar në hapësirat shqiptare.

Serbët me shpifjet luajnë fortë. Unë kam konstatuar se ata kanë aftësi të veçanta për të indoktrinuar me shpifje, jo vetëm qytetarët e zakonshëm, por edhe intelektualët e njohur e shkencëtarët. Prandaj mos të na duket i çuditshëm fakti që serbët kur bëjnë shpifjet kundërshqiptare i ndërtojnë në mënyrë të tillë që të jenë sa më të besueshme. Ata nuk harxhojnë kohë dhe mund e vlera monetare për t’i harxhuar, por për të marrë efektivitetin e tyre, ne e dimë se ata këtë mjeshtri e kanë mjaft të zhvilluar. Prandaj edhe duhet të gjejmë mënyrat më të sofistikuara për demontimin e tyre e për t’u hapur sytë jo vetëm shqiptarëve të indoktrinuar, por edhe evropianëve me fakte e me forcë argumenti, që të mund të shohin shpifjet e t’i ndajnë nga të vërtetat. Ne për këtë punojmë pak, prandaj edhe serbët zbatojnë atë thënien e kurvës: “mbama nën kopilin, t’i them asaj para se të më thotë”.

“Klani Babalia vepron në zonën e Gjakovës është në bashkëpunim me Ramush Haradinajn dhe merret me kontrabandën e benzinës nga Shqipëria dhe me tregtinë ilegale të narkotikëve”.[6] Ramushi tashmë ia ka treguar vendin Serbisë, i ka arsyetuar të gjitha veprimet e veta. Do të vijë dita që të gjithë do të vijnë nga përballja gjyqësore ashtu si Ramushi e Fatmiri dhe do t’i tregojnë vendin Serbisë dhe të gjithë Dick Martëve të saj. “Nga mesi i viteve ’90-të, kriminelët shqiptarë nga ShBA kishin filluar të ndihmonin UÇK-në në Kosovë – Metohi me grumbullimin e mjeteve financiare, me të cilat u blenë armë për nevojat e këtyre organizatave terroriste. Grumbullimi i mjeteve, në fillim, ishte kryer fshehurazi, kurse më vonë edhe në ShBA ishte e hapur filjalja e fondit “Atdheu thërret” i cili, nëpërmjet llogarive bankare në SHBA, Kanada dhe në shumë vende evropiano-perëndimore, ua drejtonte mjetet financiare pjesëtarëve të UÇK-së. Krahas kësaj, paratë barteshin edhe tërthorazi nëpërmjet emigrantëve-korrierë, që vinin në krahinën e Kosovë – Metohisë”.[7]

Që edhe në ShBA shqiptarët mund të bëjnë ligjin kriminal, këtë kanë guximin ta thonë vetëm serbët dhe Dick Marty. Unë kam qenë në ShBA në vitin 1996 dhe mund të them se edhe për dy pistoleta lodër prej kauçuku si të kaubojsve të hershëm, që i kisha blerë për dy djemtë që t’i sillja si dhuratë, më kanë detyruar të hapë bagazhet e t’i kontrollojnë. Ndërsa serbët mund ta kenë provuar se si kalohen armë nga ShBA-të, por mos ta tregojnë si barsoletë për shqiptarët, le ta tregojnë si provë të bërë prej tyre. Por nuk besoj se do të kenë sukses, ndërsa si barsoletë – akuzë shpifëse për shqiptarët është fare lehtë të deklarohet. (Vijon)

 [1] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 32, botimi serbisht

[2] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 32, botimi serbisht

[3] Po aty faqe 32

[4] Po aty faqe 32

[5] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 32, botimi serbisht

[6] Po aty, faqe 32

[7] Obiliç, Millosh, “Engjëjt e zinj të skëterrës kosovare”, “dosjet “sekrete”, Beograd, 2004, faqe 32, botimi serbisht

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prej disa kohësh, Luana Vjollca, ka zbuluar se shumë shpejt…