Serbia ka zhvilluar një fushatë të egër dhe të kushtueshme për ta akuzuar UÇK-në
Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, deklaroi në “Studio24” se përgjegjësia për përfundimin e ish-komandantëve të UÇK-së në Hagë nuk bie vetëm mbi Serbinë, por edhe mbi komunitetin ndërkombëtar dhe aktorët e mëdhenj politikë.
Sipas Milos, Serbia ka zhvilluar një fushatë të egër dhe të kushtueshme për të akuzuar UÇK-në, por presioni i ushtruar nga SHBA dhe BE mbi Parlamentin e Kosovës për të miratuar Gjykatën Speciale ka qenë një faktor vendimtar. “Ndoshta në atë moment nuk u kuptua dimensioni i presionit që po bëhej në dëm të Kosovës dhe luftës së saj”, u shpreh ai.
Milo theksoi se vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale ishte politik, ndërsa më pas institucioni fitoi një pavarësi që është e vështirë të kontrollohet apo të ndalet. Ai ngriti pikëpyetje edhe për standardet e dyfishta të ndërkombëtarëve, duke kujtuar se vetë SHBA nuk e kanë ratifikuar Statutin e Romës për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, ndërsa në raste të tjera shtete të mëdha nuk kanë zbatuar vendime të gjykatave ndërkombëtare.
Paskal Milo: Nuk është vetëm Serbia ajo që është përgjegjësie përse këta komandantë të UÇK ndodhen në Hagë. Sepse duhet të parashtrojmë edhe potencialet që ka Serbia me gjithë komunitetin ndërkombëtar. Serbia ka bërë fushatë të egër të kushtueshme për të akuzuar UÇK dhe për të arritur këtu ku jemi. Por duhet të jemi të ndershëm edhe me ata që ndodhen në Hagë dhe opinionin publik. Në këtë rast ka përgjegjësi edhe komuniteti ndërkombëtar, ka përgjegjësi edhe aktorët e mëdhenj edhe SHBA edhe BE, sepse ata si aktorë të mëdhenj politik ushtruan presion mbi parlamentin e Kosovës që të miratonte Gjykatën Speciale.
Ndoshta ata në ato momente nuk arritën që ta kapnin dimensionin e atij presioni që ishin duke bërë në dëm të Kosovës, shtetit të Kosovës, Luftës…U ka dalë situata nga dora sepse morën një vendim politik për të mbështetur ngritjen e gjykatës speciale, por më pas gjykata speciale, ka një pavarësi që është e vështirë më pas ta korrigjosh apo ta ndalosh. Sepse varet shumë nga njerëzit. Sepse në emër të drejtësisë, individë të veçantë shprehin interesat e tyre, ndikohen në forma dhe mënyra të ndryshme për të bërë një proces si ky që është duke u bërë. Ndërkombëtarët sot në emër të respektimit të institucioneve të drejtësisë nuk ndërhyjnë, nuk shprehet hapur, por kanë forma dhe mënyra të ndryshme që mund të ndikojnë.
Pse në vende të veçanta vetë SHBA nuk e pranojnë gjykatën ndërkombëtare penale. Nuk e kanë firmosur madje marrëveshjen e Romës. Pra nëse ndaj institucioneve të tilla mbajnë qëndrime, apo është marrë qëndrim për kryeministrin e Izraelit që të paraqitet, dhe shtetet e mëdha nuk e respektojnë. Pse në rastin e një gjykate speciale…Pse nuk ndërhyjnë? Sepse këtu në mes kanë qenë dhe mbeten të pranishme interesa politike dhe gjeopolitike. Ata u nisën për të krijuar balancë minimale, që të mos akuzoheshin se u dënuan vetëm liderë kryesorë serbë, por ja po dënojmë edhe 2-3-4 edhe nga shqiptarë, për të krijuar opinionin që nuk jemi të njëanshëm.



