
Serbia ndalon në Merdare ish-deputetin Gramos Agusholli
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Gramos Agusholli është ndaluar sot nga autoritetet e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë, ndërsa ishte në tranzit drejt Sllovenisë.
Lidhur me këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi ka njoftuar misionet diplomatike të shteteve të Quint-it dhe Zyrën e BE-së në Beograd.
MPJD-ja i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Agushollit.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar menjëherë misionet diplomatike të shteteve të Quint-it dhe Zyrën e BE-së në Kosovë, si dhe ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar informacione të plota dhe zyrtare në lidhje me rastin. MPJD-ja dënon fuqishëm këtë veprim arbitrar të autoriteteve serbe dhe i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të reagojë menjëherë, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të z. Gramos Agusholli dhe ndalimin e praktikave të tilla represive, të cilat bien ndesh me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të mbajë të informuar të gjithë partnerët ndërkombëtarë për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast. Çdo informacion i ri do të shpërndahet menjëherë pas konfirmimit zyrtar”, ka njoftuar MPJD-ja.