Serbia paraburgos për 30 ditë ish-ushtarin e UÇK-së
Autoritetet gjyqësore në Serbi i kanë caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Republikës së Kosovës, Mit’hat Llozhanit, i ndaluar nga policia serbe tre ditë më parë.
Lajmi është konfirmuar për portalin “Magazina” nga të afërm të tij.
“Sot ia kanë caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë dhe e kanë çu në Beograd”, ka deklaruar një i afërm i ish-ushtarit të UÇK-së.
Sipas familjarëve, Llozhani po udhëtonte nga Gjermania drejt Kosovës përmes Serbisë, kur u ndalua nga autoritetet serbe dhe gjatë kontrollit iu gjet kartela e veteranit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se Zyra Ndërlidhëse në Serbi ka informuar Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe ka dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it, “me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë” së shtetasit kosovar.



