Serbia përdor arrestime politike për të fshehur spiunazhin agresiv ndaj Kosovës dhe Perëndimit

29 korrik 2025 | 21:43


Shkruan: Gurakuç Kuçi

Serbia ka arrestuar dy shqiptarë të cilët kalonin nëpër territorin serb me akuza që janë fiktive, ku njërin e akuzon për “vrasje të rëndë” për rastin e shtatorit 2023 në Banjskë, dhe tjetrin si ish-pjesëtar të UÇK-së. Por në rastin e policit, ai nuk është në shërbim që nga viti 2022, ndërsa në rastin e dytë, ai nuk ka qenë fare pjesëtar i luftës apo veteran.

Ndërsa, për ta treguar panikun e tyre, së fundi arrestojnë edhe një qytetar serb të Kosovës.

Këto arrestime nga Serbia erdhën pasi institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë arritën të dekonspirojnë të paktën 6 agjentë të cilët punonin për BIA-në serbe, dhe një nga të arrestuarit, Aleksandër Vllajiq, ka pranuar fajësinë.

Ky dekonspirim i strukturave serbe të spiunazhit ka futur në panik Serbinë, e cila ka filluar një valë arrestimesh të shqiptarëve dhe, së fundmi, edhe të një serbi – të motivuara politikisht dhe pa argumente.

Serbia arrestoi Arbnor Spahiun nën akuzën për vrasje të rëndë në shtator 2023, në rastin e Banjskës, ku Serbia kreu sulm terrorist. Mirëpo, Arbnor Spahiu ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga viti 2022, apo rreth një vit më parë, para rastit të Banjskës.

Arrestimi i Lulzim Halilit nga Serbia si ish-pjesëtar i UÇK-së është dëshmuar se është vetëm një arrestim i motivuar politikisht, pasi i njëjti nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së dhe nuk figuron në asnjë listë të veteranëve.

Serbia ka arrestuar edhe një qytetar serb të Kosovës, Sasha Gjorgjeviq, nga Shtërpca, punonjës në një qendër shëndetësore lokale, me akuzën për spiunim në favor të AKI-së së Kosovës dhe SHISH-it të Shqipërisë.

Në të tria rastet, Serbia po tenton të bëjë një lloj hakmarrjeje dhe frikësimi, për të ndalur dekonspirimin e rrjeteve të spiunazhit serb dhe për t’u hakmarrë ndaj qytetarëve që e kanë Serbinë si rrugë tranziti.

Po ashtu, Serbia po përpiqet ta paraqesë këtë dekonspirim të strukturave të saj si një përplasje të zakonshme mes shërbimeve inteligjente, për ta relativizuar rrezikun dhe për ta neutralizuar diskursin ndërkombëtar.

Kjo strategji synon të shmangë përballjen me pasojat e infiltrimit të saj të thellë në territorin e Kosovës, pasi një hetim më i thelluar do të zbulonte se Serbia është pjesë aktive e rrjeteve destabilizuese që veprojnë në nivel ndërkombëtar, sikurse është vërtetuar në rastet e ndërhyrjeve të ndikuara nga Serbia dhe aleatët e saj në Francë, Moldavi dhe vende të tjera.

Kjo e pozicionon Serbinë jo thjesht si problem bilateral me Kosovën, por si një faktor që po prodhon pasiguri në shkallë globale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-komandanti i FSK-së, Rrahman Rama në “Rubikon” të Klan Kosovës,…