Serbia pezullon eksportet e grurit, miellit, misrit dhe vajit

09 mars 2022 | 11:58

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se shteti i tij do të pezullojë eksportin e grurit, miellit, misrit dhe vajit nga e enjtja e 10 marsit.

“Në dy ditët e fundit, eksporti i grurit dhe miellit është rritur aq shumë, saqë duhet ta ndalojmë”, ka thënë Vuçiqi të martën.

Duke folur për televizionin serb “B92”, Vuçiqi ka thënë se shteti do t’i subvencionojë derivatet për fermerët.

“Ne do të subvencionojmë që çmimi i euro-naftës në të gjitha pikat e karburantit të Industrisë së Naftës së Serbisë të mbetet së paku 179 dinarë (rreth 1.5 euro) për të paktën një muaj e gjysmë. Për të gjithë të tjerët do të ketë rritje minimale”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiqi ka theksuar se Serbia është në pritje të vendimit të Bashkimit Evropian për importin e energjisë nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara e ndaluan atë të martën, si ndëshkim për Rusinë, e cila ka pushtuar Ukrainën.

“Nëse vendimi është që të ndalohet importi i të gjitha burimeve të energjisë nga Rusia, atëherë edhe ne jemi në telashe. Nuk kemi ku t’i marrim, nafta dhe gazi nuk mund të bien nga qielli”, është shprehur Vuçiqi.

Duke folur për gjendjen e rezervave të mallrave të Serbisë, më 2 mars, Vuçiqi ka thënë se Serbia është e përgatitur për së paku dy muajt e ardhshëm.

Kosova, gjatë vitit 2021, ka importuar 84 mijë tonë lloje të ndryshme të grurit dhe miellit nga Serbia – nga 115 mijë tonë sa ka importuar në total nga shtete të ndryshme, si: Kroacia, Austria, Maqedonia e Veriut, Hungaria.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, Serbia ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja ka vendosur kundër Moskës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës janë duke u…