
Seriali që parashikoi rrjetet sociale
Nga: Adam Scovell / BBC
Në një peizazh të mbipopulluar televiziv, pak seri kanë krijuar një vend kaq të veçantë sa Black Mirror [Pasqyra e zezë] – seriali antologjik fantastiko-skencor i Netflix-it, i përbërë nga drama të veçanta dhe të pavarura të cilat trajtojnë anën e errët të modernitetit dhe të përparimit teknologjik. Por, ndonëse mund të duket krejt ndryshe nga çdo gjë tjetër që shfaqet sot, ai sigurisht nuk është unik në historinë e televizionit. Në fakt, mund t’i shohësh rrënjët e tij te një serial klasik britanik i fantashkencës që këtë muaj shënon 60-vjetorin e tij.
I transmetuar në BBC midis viteve 1965-1971 – dhe i lansuar në DVD në vitin 2014 nga Instituti Britanik i Filmit [British Film Institute] – Out of the Unknown [Nga e panjohura] ishte një dukuri e rrallë kulturore. Përderisa në atë kohë kishte disa seriale fantastiko-shkencore në televizionin britanik dhe amerikan, shumica ofronin arratisje nga realiteti, si Doctor Who [Doktor Hu, 1963-1989] dhe serialet e ndryshme të Gerry dhe Sylvia Andersonit – si Stingray [Skuadroni i nëndetëseve, 1964-65] dhe Thunderbirds [Rojet e ajrit, 1965]. Qëllimi i Out of the Unknown ishte më i lartë: synonte të tregonte histori të fantashkencës që eksploronin tema serioze dhe për të rritur – si lufta, politika dhe teknologjia, duke krijuar skenarë origjinalë me përshtatje të tregimeve nga autorë të njohur, si John Wyndham, Ray Bradbury dhe JG Ballard. Si gjithë fantashkenca e mirë, edhe ky serial arriti të përshkruante një të ardhme të imagjinuar duke komentuar realisht mbi frikën dhe tensionet me të cilat përballej bota në kohën e realizimit të tij.
Një nga episodet më të jashtëzakonshme të serialit, një përshtatje e tregimit “The Machine Stops” [“Makina është ndalur”] nga EM Forster, parashikonte epokën e internetitBurimi: BFI/ BBC
Në këtë aspekt dhe të tjerë, paralelet me Black Mirror janë të qarta – edhe pse ekziston një ironi në këtë krahasim. “Duhet të pranoj që nuk e kam parë!”, thotë për BBC, krijuesi i Black Mirror-it, Charlie Brooker. “Frymëzimi për Black Mirror në të vërtetë erdhi nga Tales of the Unexpected [Histori të pabesueshme], The Twilight Zone [Zona e errësirës] dhe shumë drama të çuditshme të BBC-së si [nga Nigel Kneale] The Stone Tape [Shiriti i gurit] dhe The Year of the Sex Olympics [Viti i Lojërave Olimpike të Seksit]. Jam padyshim duke reflektuar te veprat që lidhen drejtpërdrejt me Out of the Unknown, megjithatë nuk e kam parë. Është interesante”!
Out of the Unknown ishte ide e producentes pioniere Irene Shubik. Fillimisht duke punuar si redaktore tregimesh në televizionin britanik ABC (tani i shuar) për serialin Armchair Theatre [Teatri i kolltukut], entuziazmi i saj për fantashkencën e çoi më vonë te prodhimi i 13 episodeve të serisë Out of This World [Jashtë kësaj bote, 1962] për transmetuesin britanik ITV. Më pas, Shubiku ishte redaktore në serialin antologjik të BBC-së, Story Parade [Parada e tregimeve, 1964-65] – që ishte një seri përshtatjesh nga romanet moderne dhe që në mënyrë domethënëse dramatizoi The Caves of Steel [Shpellat e hekurta] të Isaac Asimovit. Suksesi i të dyja projekteve e bindi drejtorin e dramës në BBC, Sydney Newman – i cili kishte punuar me Shubikun në ABC – që ajo të konceptonte një serial antologjik dedikuar fantashkencës intelektuale.
Historiani i televizionit, Jon Dear, shpjegon arsyen fillestare pas serialit. “Out of the Unknown ishte vërtet hera e parë kur fantashkenca u paraqit si dramë serioze dhe inteligjente për të rritur”, thotë ai për BBC. “Sot, serialet si Alien: Earth dhe Andor nuk vërehen si të krijuara për të rritur, dhe qartësisht kanë origjinë nga kinemaja, por ky serial ishte hera e parë kur shumë njerëz kanë parë një letërsi spekulative që i konsideron gjërat si Doctor Who si shumë fëmijërore”.
Seriali filloi transmetimin në vitin 1965, me tregimin e parë, No Place Like Earth [Nuk ka vend si Toka] – nga John Wyndham – që u transmetua më 4 tetor. Irene Shubik prodhoi dy seritë e para, të përbëra nga 26 episode, përpara se të largohej për të ndjekur projekte të tjera – duke ia kaluar përgjegjësinë producentit Alan Bromly, i cili mori drejtimin për dy seri të tjera që u transmetuan nga viti 1969 deri më 1971.
Out of the Unknown kishte një mori talentesh – pas dhe para kamerës. Përveç shkrimtarëve të mëdhenj, veprat e të cilëve u përshtatën, çdo episod përfshinte disa nga aktorët më të mirë britanikë të karakterit, si ish-Doktor Who, Patrick Troughton, pastaj aktori i ardhshëm kryesor [në serial] David Hemmings dhe figura të tjera të njohura të teatrit britanik – si Yvonne Mitchell, Sylvia Coleridge dhe Lynn Farleigh, për të përmendur vetëm disa këtu. Edhe figura të tjera të famshme punuan pas kamerës – regjisori i ardhshëm i Alien [Jashtëtokësori] dhe Blade Runner [Vrapuesi në teh], Ridley Scott, për shembull punoi si skenograf në një nga episodet më të fuqishme të serialit, në një përshtatje të tregimit Some Lapse of Time [Disa kapërcime kohore] nga John Brunner.
“The Counterfeit Man” [“Njeriu i Rremë”] ishte një nga shumë tregimet që pasqyronin paranojën e Luftës së FtohtëBurimi: BFI/BBC
Seriali e ndryshoi tërësisht konceptin e fantashkencës televizive, duke treguar se si ajo mund të trajtonte tema komplekse. Kjo u bë e qartë që në episodin e parë, një përshtatje e tregimit No Place Like Earth nga John Wyndham. Duke ndjekur një endacak që braktis ekzistencën e vetmuar në Mars për të provuar jetën në Venerë – vetëm për të zbuluar se shoqëria atje ishte ndërtuar mbi punën e skllevërve – episodi shërbeu si një alegori e qartë për kolonializmin.
“Fantashkenca e mirë është një mënyrë për të thënë diçka që nuk mund ta thuash me fjalë të drejtpërdrejta”, ka shkruar Shubik në librin e saj të vitit 1975, Play for Today: The Evolution of Television Drama [Shfaqja për sot: Evolucioni i dramës televizive]. Charlie Brooker e konfirmon këtë ide në lidhje me serialin e tij. “Mendoj se fantashkenca është një mënyrë për të folur për të tashmen dhe botën ku jetojmë, por e maskuar si diçka argëtuese. Mund të fusësh mesazhe të thella, si perime të grira fshehur në ushqimin e fëmijës. Mund ta përkulësh realitetin në një pasqyrë qesharake të çështjes për të cilën ti flet”.
Me Out of the Unknown që u prodhua vetëm pak vjet pas Krizës së Berlinit të vitit 1961 – kur tensionet mes Bashkimit Sovjetik dhe Perëndimit arritën kulmin, duke rezultuar në ndërtimin e Murit të Berlinit – nuk është për t’u habitur që programi preku ndjeshëm paranojën e epokës së Luftës së Ftohtë. Si episodi i dytë ashtu edhe i treti, The Counterfeit Man [Njeriu i rremë] nga Alan Nourse dhe Stranger in the Family [I Huaji në familje] nga David Campton, trajtojnë frikën nga infiltrimi i një armiku të maskuar. Po ashtu, kërcënimi i një lufte bërthamore përshkon gjithë serialin. Në episodin Some Lapse of Time të Brunnerit, një mjek që trajton një njeri të çuditshëm – i konsideruar fillimisht si një i pastrehë i dehur – tronditet kur kupton ngadalë se pacienti mund të ketë ardhur nga një e ardhme e shkatërruar nga një holokaust bërthamor, pjesërisht i shkaktuar nga një politikan që ndodhet gjithashtu në të njëjtin spital. Ndërkohë, një përshtatje e romanit Level 7 [Niveli 7] të Mordecai Roshwaldit nga JB Priestley, ndjek një ushtar pa identitet që punon thellë në një bunker ku zhvillohet reagimi ndaj një sulmi bërthamor. Njerëzimi nuk zgjat shumë.
Megjithatë, aty ku Out of the Unknown shkëlqeu vërtet ishte në trajtimin e ndikimit të teknologjisë personale mbi shoqërinë. Pikërisht këtu gjurmët e tij janë të dallueshme në Black Mirror. Në episodin The Dead Past [E kaluara e vdekur] të Asimovit, një lloj pajisjeje invazive dhe lakuese e kohës – në të cilën çdo ngjarje mund të rikthehet dhe të shihet në ekran – çlirohet më në fund duke paralajmëruar varësinë ndaj mediave sociale. Ajo krijon në mënyrë të pashmangshme një shoqëri të fiksuar pas ekranit – nën ndikimin e nostalgjisë, por edhe nën një mbikëqyrje të vazhdueshme. Ndoshta episodi më tronditës i gjithë serialit, The Machine Stops [Makina është ndalur], i bazuar në një tregim të shkurtër nga EM Forster, gjithashtu duket si një parashikim shqetësues i së tashmes sonë. Drama ndjek një shoqëri që jeton pothuajse plotësisht e izoluar, përveçse përmes komunikimit nëpërmjet ekraneve brenda një makinerie të madhe. Historia – dhe sidomos kjo përshtatje nga Clive Donner dhe Kenneth Cavander – duket si një profeci e përkryer e epokës së internetit.
Përparësia e formatit antologjik ishte se lejonte që Out of the Unknown të trajtonte një sërë temash intriguese me aq kohë sa duhej – pa i zgjatur apo rënduar ato. Edhe Brooker gjen vlerë të ngjashme në këto histori të veçanta. “Mund të eksplorosh ide që nuk do të përballonin dhjetë sezone të një seriali. Do të rrëzoheshin nën peshën e vet logjikës. Mund të krijosh një histori shumë të ngjeshur dhe s’ke nevojë të ndjekësh një mitologji të ndërlikuar”.
“Black Mirror” në Netflix ka marrë stafetën e fantashkencës të zgjuar në ekranin e vogëlBurimi: Netflix
Dear thotë se, nga perspektiva e publikut, forca kryesore e formatit antologjik “është shumëllojshmëria. Situata të reja dhe ide të reja çdo herë. Nëse nuk të pëlqen një episod, ia vlen të rikthehesh për tjetrin”. Ajo që është interesante, është se, përveç Black Mirror, nuk ka shumë seriale antologjike që prodhohen sot – diçka që Brooker e lidh po aq me faktorët industrialë sa me ata krijues. “Është një disavantazh që çdo herë duhet të nisësh nga e para”, thotë ai. “Kjo e bën jetën më të vështirë, në shumë mënyra, pasi nuk ke ndonjë ekonomi shkalle”. Megjithatë, me televizionin britanik Channel 5 që ka njoftuar së fundmi se do të ringjallë serinë e famshme antologjike të BBC-së, Play for Today [Shfaqja për sot] – që solli drama të veçanta klasike si Abigail’s Party [Gostia e Ebigejlës] nga Mike Leigh – ndoshta ditë më të ndritura po e presin këtë format.
Por, në 60 vjet distancë, si Black Mirror ashtu edhe Out of the Unknown kanë pasur një ndikim të rëndësishëm kulturor – duke u përpjekur të imagjinojnë shoqërinë që ende nuk jemi bërë dhe në të njëjtën kohë duke komentuar mbi të tashmen. E ardhmja, siç e theksojnë mjeshtërisht, ka qenë gjithmonë tani. /Telegrafi/