Sërish tensione në Hong Kong, policia përdor gazlotjellës për të shpërndarë turmat

24 maj 2020 | 12:39

Në Hong-Kong është zhvilluar demonstrata e parë masive kundër një ligji të ri për sigurinë që Kina synon ta aplikojë për të mbytur zërat antiqeveritarë në qytet. Protesta u shoqërua me tensione nga ndërhyrja e policisë. Rreth 200 politikanë nga e gjithë bota kanë kritikuar planet e Kinës.

Në Hong-Kong kanë rinisur protestat si vitin e kaluar, me përplasje mes qytetarëve dhe forcave të rendit.

Të dielën, policia në qytetin gjysmautonom kinez lëshoi gaz lotsjellës dhe makina ujëhedhëse me qëllim shpërndarjen e mijëra tubuesve.

Demonstrata u organizua kundër nismës së fundit ligjore të Pekinit që qytetarët pretendojnë se shkel liritë dhe të drejtën e tyre për sovranitet.

Ligji i ri për sigurinë kombëtare është përpiluar nga Kina dhe do të aplikohet në rajonin e posaçëm administrative në rast të akteve të tradhtisë, rebelimit, të vetëvendosjes apo të përpjekjeve për rrëzimin e pushtetit ekzekutiv të Hong-Kongut.

Pekini synon të ngre agjenci të vetat në qytet për të monitoruar zbatimin e ligjit.

Protesta e së dielës u mbajt në kohën e pandemisë së kovidit, ndaj demonstruesit ishin pajisur me maska.

Autoritetet më herët nuk kishin dhënë urdhër për tubime dhe për grumbullime të gjera publike.

Gjatë javës, Uashingtoni por edhe politikanë të huaj i dënuan planet e Kinës për ligjin e ri për sigurinë, duke e cilësuar atë shkelje flagrante të deklaratës që vetë Kina ka firmosur në vitin 1997, kur Hong-Kongu iu kthye asaj sërish pas një shekulli e gjysmë në drejtim si koloni britanike.

Pekini është shprehur se kjo është një çështje e brendshme dhe ka apeluar të mos ndërhyhet.

Një tjetër ligj për ekstradimet i shtyrë sërish nga Kina vitin e kaluar u prit me marshime disamujore. Qeveria kineze thotë se me ligjin e ri për sigurinë këto protesta në të ardhmen duhen parandaluar, ndalur dhe ndëshkuar. /Ora News.tv/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti kinez i virologjisë në qytetin ku edhe u shfaq…