Sermaxhaj: Java e fundit në Superligë do të jetë shumë interesante

26 korrik 2020 | 11:36

Genc Sermaxhaj ka thënë për “Epokën e re” se xhiroja e fundit e kampionatit elitar të futbollit do të jetë shumë interesante, pasi disa skuadra luftojnë për daljen në garat evropiane e disa të tjera kërkojnë mbijetesën. Ai ka hezituar të japë ndonjë parashikim, por është i bindur se ndeshje të zjarrta do të zhvillohen të dielën.

Kampionati futbollistik në Kosovë për edicionin 2019/2020 përfundon të dielën. Titulli i kampionit është vendosur në xhiron e parafundit, ku Drita është shpallur për herë të tretë në histori të saj kampione e Kosovës, derisa xhiroja e fundit do të jetë interesante pasi tri skuadra janë në garë për vendin e dytë që dërgon në Ligën e Evropës dhe tri skuadra të tjera janë në garë për mbijetesë.

Ish-futbollisti dhe njohësi i mirë i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka thënë për “Epokën e re” se xhiroja e fundit do të jetë shumë interesante. Ai ka parashikuar se do të jetë një xhiro interesante dhe se Gjilani dhe Ballkani do të përpiqen të sigurojnë fitore me çdo kusht.

“Ballkani dhe Gjilani duhet të bëjnë çmos që njëra ta fitojë ndeshjen për t’u kualifikuar në garat evropiane. Nëse mbesin baras të dy ekipet atëherë, Gjilani kalon si e dyta në Evropë. Ballkanit i duhet vetëm fitorja ndaj Dritës, por edhe Gjilani nëse fiton atëherë renditja mbetet po e njëjta dhe nuk do të ketë ndonjë ndryshim në renditje. Do të jenë ndeshje si finale ngaqë sigurojnë Evropën dhe angazhimi maksimal nuk do të mungojë”, ka thënë Sermaxhaj.

Ish-mesfushori i njohur foli edhe për skuadrat që janë në garë për ta siguruar mbijetesën në IPKO Superligë. Sermaxhaj ka thënë se është e vështirë të parashikohet se cila skuadër do të bjerë nga elita, por xhiroja e fundit do të jetë shumë interesante. “Sa i përket rënies nga Superliga janë të rrezikuara tri skuadra: Flamurtari, Drenica dhe Trepça ’89. Një prej këtyre tri skuadrave do t’i bashkohet Ferizajt, Dukagjinit dhe Vushtrrisë në Ligën e Parë. Është vështirë të parashikohet se cila skuadër do të bjerë, por do të jetë javë vendimtare dhe shumë interesante”, ka deklaruar Sermaxhaj. Të gjitha ndeshjet e javë së fundit zhvillohen të dielën nga ora 17:00.

IPKO Superliga – Xhiro e fundit

Të dielën takohen:
Drenica – Dukagjini
Vushtrria – Llapi
Ferizaj – Ferizaj
Trepça ’89 – Prishtina
Flamurtari – Gjilani
Ballkani – Drita

Tabela

1. Drita                    32  68 pikë
2. Gjilani                 32  65
3. Ballkani              32  64
4. Prishtina            32  62
5. Llapi                   32  45
6. Feronikeli          32  44
7. Flamurtari         32  43
8. Trepça ’89          32  41
9. Drenica              32  41
10. Ferizaj              32  29
11. Dukagjini         32  19
12. Vushtrria         32  18

(Veton Zymberi)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në nderim të 2-vjetorit të ndarjes nga jeta të Adem…