Serwer: Shkëmbimi i territoreve rrezik për Kosovën – BE t’i heq masat sa më shpejt

19 qershor 2025 | 21:09

“Këshilla ime për ata që mendojnë se kanë nevojë për ndihmën amerikane është kjo: Mos e kërkoni! Zgjidhini vetë problemet tuaja.”

Donald Trump ka ndezur sërish gjakrat për dialogun Kosovë-Serbi duke pretenduar se gjatë mandatit të vet të parë ka ndalur një luftë mes Kosovës dhe Serbisë dhe se të njëjtën gjë do ta “rregullojë përsëri”. Diplomati dhe njohësi i ballkanit Daniel Serwer i ka rënë këmbanave të alarmit pas kësaj deklarate që ai e cilëson si të pavërtetë dhe të rrezikshme, duke paralajmëruar se përfshirja e Trump mund të sjellë më shumë dëme.

Ndërsa Trump pretendon se ka ndalur luftën në Kosovë, Serwer thotë se “kjo është e zbrazët, edhe sipas standardeve të tij” 

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin në një mosmarrëveshje të ashpër, siç kanë qenë për dekada të tëra, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të përshkallëzohej në luftë. Unë e ndalova. Biden dëmtoi shanset afatgjata me disa vendime shumë të pamenduara, por do ta rregulloj përsëri” – citon Serwer Trump-in.

Në një analizë në faqen e tij Peacefare.net, Serwer e quan këtë deklaratë shumë të dobët për t’u marrë seriozisht, edhe sipas standardeve të vetë Trump. Ai thotë se Trump nuk e ka ndalur ndonjë luftë në mandatin e tij të parë, dhe ndërhyrjet që mund të bëjë tani, do të ishin edhe më të dëmshme.

Alarmi që Serwer ngre është pikërisht për prirjen e Trump dhe të ish-emisarit të tij për dialogun, Richard Grenell, për të mbështetur ndarjen e Kosovës. Ata duket se e shohin këtë si një “zgjidhje të thjeshtë”, përmes shkëmbimit të territoreve: veriu me shumicë serbe i Kosovës t’i kalojë Serbisë dhe komunat shqiptare në jug të Serbisë t’i kalojnë Kosovës.

“Tingëllon bukur, veçanërisht nëse je nacionalist etnik. Trump dhe Grenell janë nacionalistë etnikë të përkushtuar të llojit “supremacist të bardhë.”

Por sipas Serwer, kjo nuk është aspak zgjidhje reale. Serbia nuk ka ndërmend të japë asnjë pjesë të jugut të saj, përkundrazi është duke i zhvendosur gradualisht shqiptarët nga Presheva dhe Bujanoci.

“Pra, ky është një karrem klasik: ofro shkëmbim, merr ndarje.” – thekson Serwer, duke i dhënë edhe një këshillë Albin Kurtit.

“Kryeministri Kurti, ose pasardhësi i tij, do të bënte më të mirën të mos lejonte asnjë diskutim për shkëmbim mendimesh në axhendë.” 

Sipas diplomatit amerikan, as Kosova dhe as Serbia nuk kanë nevojë për ndihmën e Trump apo Grenell. Dialogu teknik që ka vazhduar për vite ka sjellë rezultate konkrete, ndryshe nga procesi politik që ka dështuar.

“Ndërkohë që të gjithë e tallnin (dialogun teknik) në atë kohë, një kod telefonik për Kosovën, njohja reciproke e dokumenteve, zgjidhja e çështjeve të furnizimit dhe pagesave për energjinë elektrike, menaxhimi i integruar i kufirit, këto janë gjëra që bëjnë një ndryshim të vërtetë për njerëzit e vërtetë.” shkruan Serwer.

Diplomati shprehet se Prishtina dhe Beogradi e njohin mjaftueshëm njëri-tjetrin për të vazhduar me marrëveshje teknike, edhe pa ndërmjetësimin e BE-së, nëse ekziston vullneti politik.

Por sipas Serwer, Kosova dhe Serbia nuk kanë probleme vetëm me Trump apo njëri-tjetrin, por edhe me Bashkimin Europian. Edhe këtu, Serwer e amniston Kosovën.

Ai shkruan se Beogradi është në një fazë bllokimi në procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova vijon të vuajë sanksione të padrejta, pavarësisht faktit se ndërhyrjet në veri stabilizuan situatën dhe dëshmuan profesionalizëm.

“Kosova ende vuan nën sanksione të pajustifikuara të BE-së për veprime që askush nuk i kujton vërtet.” 

Serwer i bën thirrje BE-së të heqë sa më shpejt sanksionet ndaj Kosovës dhe të rifillojë me seriozitet procesin e anëtarësimit për Serbinë, duke përfshirë aty dhe zbatimin e marrëveshjes së 2023-ës për normalizimin e marrdhënieve me Kosovën, që Vuçiç nuk e firmosi por që po integrohet në kapitujt e anëtarësimit.

Në analizën në faqen e tij, Daniel Serwer i kthehet edhe një herë rolit amerikan për çështjen Kosovë-Serbi.

Ai bën thirrje që Ballkani të mos presë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, veçanërisht jo nga një Trump i paaftë për strategji afatgjatë.

“Edhe një President i SHBA-së plotësisht i kualifikuar do të kishte shumë gjëra për të menduar tani përpara se të shkonte në Ballkan. Një President i hutuar Trump nuk mund të bëjë shumë më tepër sesa të marrë merita për gjërat që nuk i ka bërë dhe të premtojë më shumë. Por ai po dështon kudo: Gaza, Irani, Ukraina dhe tregtia janë të gjitha një rrëmujë. Mungesa e koherencës së tij nuk është e shëndetshme. Kujdes se çfarë dëshironi. Këshilla ime për ata që mendojnë se kanë nevojë për ndihmën amerikane është kjo: mos e kërkoni. Zgjidhini vetë problemet tuaja.” – përmbyll Serwer.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Takimi i para disa ditëve, në Lezhë, ku morën pjesë…