Serwer: Suspendimi i dialogut strategjik pakënaqësi e ShBA-së me Kurtin, raportet me aleatët të riparohen pas zgjedhjeve

10 dhjetor 2025 | 11:54

Pas bllokadës disa mujore për shkak të pozitës së kryetarit të Kuvendit dhe pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të krijuar një qeveri të re, Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme më 28 dhjetor. Profesori amerikan dhe njohësi i zhvillimeve në rajon, Daniel Serwer, ka thënë se pret që këto zgjedhje të shkojnë mirë, të jenë të lira dhe fer.

I pyetur nëse Kosova mund të përballojë edhe një bllokadë tjetër të njëjtë pas këtyre zgjedhjeve, profesori amerikan thotë se shpreson që votuesi kosovar të tregohet mjaftueshëm i qartë për të shmangur një gjë të tillë.

Serwer ka vlerësuar se përgjatë kësaj kohe është dëmtuar pozicioni i Kosovës.

“Po, por jo në mënyrë të pakthyeshme. Dhe ka anuluar një Dialog që ishte i destinuar të dështonte”, ka thënë ai për “Express”.

Serwer mendon se i përket votuesve kosovar që të përcaktojnë fajtorin për bllokadën e ndodhur.

Sa i përket akuzave të ish-opozitës ndaj presidentes Vjosa Osmani se ka bërë lojën e Kurtit në gjithë ngjarjet e ndodhura që nga zgjedhjet e shkurtit, Serwer ka thënë se në sisteme parlamentare as presidentja s’mund t’i ik përgjegjësisë.

“Nuk mendoj se kjo është e drejtë, por sigurisht që çdo dështim për të formuar një qeveri në një sistem parlamentar i ngarkohet pjesërisht kujtdo që është president”, është shprehur ai.

Më tutje, në këtë intervistë duke folur për raportin e Kosovës me ShBA-në dhe suspendimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, Serwer ka potencuar se një gjë e tillë me një qeveri në detyrë që drejtohet nga Albin Kurti ka qenë e pashmangshme.

Sipas profesorit amerikan, mënyra se si është marrë vendimi ishte mesazh i Uashingtonit se janë të pakënaqur me Kurtin.

“Shpallja e saj në mënyrën siç e bëri Uashingtoni kishte për qëllim të shprehte pakënaqësi ndaj Kryeministrit”, ka potencuar ai.

Përveç ekonomisë, arsimit dhe forcimit të ushtrisë, Serwer thotë se Kosova duhet t’i riparojë raportet me ShBA-në dhe BE-në, duke synuar gjithashtu edhe anëtarësimin në NATO.

“Kosova duhet gjithashtu të kërkojë të riparojë marrëdhëniet me ShBA-në dhe Evropën, duke synuar anëtarësimin në NATO sapo Trumpi të largohet dhe Amerika të ketë një president të gatshëm të zgjerojë NATO-n”, potencon Serwer.

Për vazhdimësinë e dialogut Kosovë-Serbi, Serwer është shprehur se nuk mund të ketë përparim në nivelin politik derisa në pushtet është Aleksandër Vuçiq.

“Ai nuk është i interesuar në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Serwer.

Sipas profesorit amerikan, ShBA-ja do të vazhdojë të bëjë presion për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndonëse sipas Serwer është gabim. Kosova, ka thënë Serwer, nuk do të jetë e gatshme të krijojë Asociacionit pa garancitë të cilat Beogradi s’do të jetë në gjendje t’i ofrojë.

“Krijimi i saj si OJQ, në bashkëpunim me Asociacionin ekzistues, do të më pëlqente”, ka thënë ai.

Në fund, Serwer ka thënë se themelimi i Asociacionit pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të mund të ishte një veprim që do të mund të rivendoste pozicionin e Kosovës në raport me aleatët dhe Serbinë, megjithatë sipas tij, Asociacioni do të duhej të krijohej në finale të procesit të dialogut.

“Mendoj se po. Por nuk jam i sigurt nëse as LV-ja dhe as opozita do të donin ta bënin këtë. Kjo do të krijonte rreziqe serioze për Kosovën pa njohjen diplomatike të sovranitetit të saj nga Serbia. Sipas mendimit tim, krijimi i asociacionit do të vinte më së miri në fund të procesit të dialogut”, ka përfunduar profesori amerikan, Daniel Serwer.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liga e Kampionëve vazhdon sonte edhe me nëntë ndeshjet tjera…