
Serweri: Escobari dhe Hilli mendojnë se e kanë çuar Serbinë në perëndim, faktet tregojnë të kundërtën
“Amerika favorizon Beogradin. Nuk mendoj se politika e butë ndaj Serbisë zyrtare do të ndryshojë pa presion më të fortë”. Kështu ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.
Së fundmi, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se nuk mendon se ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq po përpiqet të destabilizojë rajonin pasi tha se “njohja e Kosovës do të rezultojë dështim për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut – njësoj siç i ndodhi Ukrainës dhe të gjithë atyre që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur”.
Serweri beson se Hill, duke mos reaguar ndaj deklaratave skandaloze të Vuçeviqit, personifikon qasjen e butë të Amerikës ndaj Serbisë.
“Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë përderisa struktura aktuale diplomatike të jetë në Serbi”, ka thënë Serweri në një intervistë për “Pobjeda”.
Heshtja e Uashingtonit
Ai ka theksuar se Uashingtoni hesht për shumë gjëra në lidhje me Serbinë: korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorimin e forcës, sulmin ndaj trupave të NATO-s të financuara nga Beogradi, refuzimin e Vuçiqit për t’u angazhuar për zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun me Kosovën.
Duke iu përgjigjur pyetjes se cilat janë arsyet e një qëndrimi të tillë, Server vlerëson se në radhë të parë bëhet fjalë për Hill-in dhe të dërguarin special të ShBA-së, Gabriel Escobar.
“Përshtypja ime është se si Hill ashtu edhe Escobari janë të bindur se e kanë çuar Serbinë në Perëndim, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën. Duket gjithashtu se i japin përparësi Serbisë duke lejuar dërgesat e armëve në Ukrainë” ka thënë Serwer.
Letra, e cila është nënshkruar këtë muaj nga pothuajse 60 deputetë të rangut të lartë të Evropës dhe Kongresit dhe Senatit të ShBA-së dhe që bën thirrje për ndryshimin e “politikës së butë” ndaj Serbisë në raport me Kosovën, nuk është presion mjaft i fortë”, ka deklaruar Serwer.
“Zyrtarët që janë pjesë e legjislativit dërguan një letër. Ata duan një ndryshim dramatik të qasjes aktuale ndaj Serbisë, por nuk ka asnjë indikacion se do ta marrin nga zyrtarët e autoriteteve ekzekutive të SHBA-së dhe BE-së”, ka vlerësuar ai.
Për këtë, ai beson se do të duhet shumë më tepër presion.
Server beson se nisma “Ballkani i Hapur”, të cilin ambasadori Hill e promovon hapur, është një nismë e vdekur.
“Nuk mendoj se do t’i ofronte shumë Amerikës. Mbështetja për “Ballkanin e Hapur” ishte pjesë e politikës së butës”, ka vlerësuar Serwer.