Serweri: Vuçiqi synon veriun e Kosovës, ai është ulur përballë Rusisë dhe Kinës

13 tetor 2021 | 16:33

Profesori i Universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, ka vlerësuar se pajtimi i Kovës me Serbinë duhet të ndodhë në mes të dy vendeve sovrane.

Serweri ka deklaruar për “N1” se kreu i Serbisë po synon veriun e Kosovës, duke thënë se ai mund të merret vetëm me menaxhimin e popullatës serbe atje.

“Kosova është sovrane dhe e pavarur dhe unë nuk mendoj se dikush në Beograd as e imagjinon që Beogradi do ta menaxhojë një shumicë prej 95 për qind të popullsisë së Kosovës. Ata thjesht po merren me menaxhimin e popullatës serbe në Kosovë dhe nuk ka dyshim se Vuçiqi do të ishte i lumtur që ta merrte veriun”, ka thënë Serweri.

Sidoqoftë, eksperti amerikan ka theksuar se shumica e qytetarëve nuk do të ishin të kënaqur me këtë zgjidhje dhe se sipas tij është më mirë që pajtimi të mos bëhet përmes ndarjeve, por përmes marrëdhënieve midis dy vendeve sovrane ku popullsia serbe në Kosovë do të ishte e mbrojtur.

Kur është pyetur se çfarë do të thoshte kur kishte shkruar në një nga veprat e tij se “Serbia është e humbur tani për tani”, Serweri ka thënë se mesazhi i tij ishte për “kolegët në Uashington”, lidhur me faktin se nuk ka media të lirë ose gjyqësor të pavarur në Serbi, se ekziston një opozitë demokratike liberale, por e përbërë kryesisht nga nacionalistë.

“Ka shumë demokratë liberalë në Serbi, por ata nuk kanë zhvilluar disiplinë partiake që duhet të përbëjë kërcënim serioz për Vuçiqin në zgjedhje. Kështu që mesazhi im i drejtohet Uashingtonit dhe Brukselit që ata të zgjohen dhe të kuptojnë se shpresat që kishim”, ka thënë Serweri.

I pyetur se çfarë mendon për zhgënjimin e udhëheqësve të BE-së në lidhje me marrëdhëniet që Serbia i ka me Kinën dhe Rusinë, Serweri ka thënë se tani është e qartë se “Serbia nuk ulet më në dy karrige”.

“Vuçiqi e ka bërë të qartë se ai nuk do ta zgjidhë çështjen e Kosovës para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, dhe ndoshta jo në mandatin tjetër nëse zgjidhet. Kështu që ai nuk është ulur më në dy karrige, por në një karrige përballë Rusisë dhe Kinës”, ka thënë profesori amerikan.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër policë janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare…