S’është koha e as vendi të flasim për situatën politike

09 prill 2020 | 10:45

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka vizituar Komunën e Malishevës. Në objektin e komunës ai është takuar me kryetarin Ragip Begaj dhe disa prej drejtorëve të drejtorive të komunës, nga të cilët është informuar rreth gjendjes në Malishevë pas shpërthimit të virusit korona në vend.

“Jemi të gjithë, bashkë pa dallim partie, moshe e etnie. Do të përqendrohemi në luftimin e kësaj të keqe. Bashkë do t’ia dalim mirë. Prilli është muaji përfundimtar. Nuk është koha dhe vendi në Malishevë të flasim për situatën politike”, u shpreh Kurti.

Pas takimit me kryetarin e Malishevës, Ragip Begaj, me të cilin diskutuan për situatën e krijuar nga pandemia koronavirus, Kurti kërkoi që qytetarët t’i respektojnë rregullat e IKShP-së. “Komuna e Malishevës i ka rreth 3 % të popullsisë sonë. Shpreha ngushëllime për qytetarin e Malishevës që mbrëmë ndërroi jetë. Është gjendje e pikëllueshme për gjithë neve. Shpresoj që të infektuarit të shërohen sa më parë. Po punojmë në këtë drejtim. Duhet të bashkëpunojmë maksimalisht që sa më pak të shpërndahet Covid-19. U bëjmë thirrje qytetarëve që t’i kufizojnë lëvizjet e tyre, të dalë vetëm një anëtar i familjes për nevojat, ta mbajmë pastërtinë e ta ruajmë distancën fizike dhe të qëndrojmë në shtëpi. Kemi nevojë që ta ndihmojmë më shumë Komunën e Malishevës meqenëse është komuna që ka më së shumti të infektuar. Në muajin prill të mos lejojmë rritje të lakorës, të dalim me sa më pak pasoja nga kjo krizë. Andaj duhet të angazhohemi maksimalisht”, ka thënë Kurti.

Ndërkaq kryetari i Komunës se Malishevës, Ragip Begaj, deklaroi se situata në këtë komunë është alarmante, andaj kërkoi mbështetje nga Qeveria. “Po pres përkrahje më të madhe sepse situata në Malishevë është më alarmante për shkak të të infektuarve që i kemi. Niveli i qeverisë të marrë masa për Malishevën për shkak të gjendjes”, i ka kërkuar Begaj kryeministrit në detyrë, Kurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa virusi i koronës përhapet në të gjithë botën, Koreja…