
Sezoni i ri në Maqedoni fillon me duelet shqiptare, Shkëndija- Shkupi dhe Bashkimi – Arsimi
Sot është hedhur shorti për sezonin e ri 2025/26 në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut, i cili do të startojë më 8 gusht.
Sezoni i ri pritet me shumë entuziazëm, jo vetëm për shkak të rivaliteteve të njohura, por edhe për shkak të hyrjeve të reja e rikthimeve në elitë.
Për herë të parë në historinë e saj, skuadra Arsimi nga Çegrani i Gostivarit do të luajë në elitën e futbollit vendor, duke përfaqësuar me krenari një tjetër vatër të futbollit shqiptar. Një tjetër lajm i mirë për tifozët shqiptarë është rikthimi i Bashkimit nga Kumanova, një emër me histori e traditë në futbollin vendor, që kthehet për të shtuar rivalitetin e bukur në kampionat.
Krahas këtyre dy skuadrave, sezonin do ta ndjekin edhe ekipet shqiptare që tashmë janë pjesë konstante e elitës: kampioni aktual Shkëndija nga Tetova, Struga Trim & Lum dhe Shkupi.
Që në javën e parë shorti ka dhuruar emocione, me dy përballje të zjarrta shqiptare:
Java e parë – LPFMV 2025/26:
Bashkimi – Arsimi
Struga Trim & Lum – Makedonija Gj.P
Shkëndija – FC Shkupi
Sileksi – AP Brera
Vardari – Pelisteri
Tikveshi – Rabotniçki
Sezoni nis me shumë pritshmëri dhe pasion. Me rivalitetin gjithnjë në rritje dhe përfaqësimin e fuqishëm shqiptar, kampionati 2025/26 premton të jetë ndër më interesantët e viteve të fundit. Tifozët, përgatituni – futbolli po kthehet!