
Sfida me Letoninë, Sylvinho: Ndeshje kyçe për Botërorin
Trajneri i ekipit kuqezi, Sylvinho foli për sfidën nesër kundër Letonisë. Tekniku brazilian e cilësoi këtë përballje si një nga më të rëndësishmet e këtij cikli, duke theksuar se skuadra është e përgatitur për një ndeshje të vështirë, por vendimtare në ecurinë e kuqezinjve.
“Kur lufton për një vend në Kupën e Botës, rruga është gjithmonë e vështirë. Nesër kemi një ndeshje kyçe, shumë të rëndësishme. Letonia është skuadër e organizuar, fizike dhe e rrezikshme në goditjet standarte. Pamë ndeshjen e tyre me Serbinë dhe deri në minutën e fundit ishte e hapur. Nuk mund të flitet sot për fitore 5 apo 6-0, në futbollin modern gjithçka është e mundur”, u shpreh Silvinjo.Tekniku ndaloi edhe te kritikat pas miqësores me Gjibraltarin, ku testoi disa lojtarë të rinj.
“Në miqësore atmosfera është krejt ndryshe. Duhej të shihja lojtarë që kishin munguar, si Berisha, por edhe të rinj si Pajaziti, Kaçurri, Dajsinani, Simoni e Shpendi. Nuk mund të marrësh 11 lojtarë që nuk kanë luajtur kurrë bashkë dhe t’i kërkosh të bëjnë mrekulli. Pashë gjëra të mira, por edhe të këqija. Megjithatë duhet durim me këta djem të rinj, ata janë e ardhmja”, theksoi trajneri.
Në lidhje me sulmin, Silvinjo la të kuptohet se do të ketë ndryshime, por pa zbuluar formacionin. “Ndoshta do të ndryshojmë në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Kemi ende seancën e fundit, por patjetër do të ketë risi në formacion”. Sa i përket lojtarëve kryesorë, Silvinjo dha sinjale pozitive për Brojën dhe Asanin, duke i cilësuar si elementë të rëndësishëm për skuadrën.
“Janë lojtarë të mirë që na ndihmojnë, por ende nuk e kam vendosur nëse do të luajnë të dy nga fillimi. Do ta shohim nesër”. Trajneri vlerësoi gjithashtu edhe ecurinë e skuadrës në këto dy vite e gjysmë, duke nënvizuar se Kombëtarja ka ndryshuar shumë. “Kombëtarja është e hapur, kush është në formë të mirë, vjen te ekipi. Kjo është arsyeja pse kemi sjellë disa të rinj që po tregojnë potencial”.