Sfidat e sigurisë, në rritje

04 nëntor 2020 | 12:06

Shkruan: Ramadan Qehaja

Shteti i Kosovës dhe shoqëria e saj vazhdojnë t’i ekspozohen një game të gjerë të sfidave e të rreziqeve si pasojë e jostabilitetit të brendshëm politik, krizës ekonomike dhe shëndetësore si dhe kërcënimeve pothuajse imanente nga jashtë, veçmas nga Serbia. Pavarësisht se të gjitha këto sfida pothuajse njëtrajtshmërisht ndikojnë në brishtësinë e situatës së sigurisë në vend, do të ndalem kryesisht te sfida e fundit e cila shkaktohet nga faktori i jashtëm, Serbia.
S’do mend se Serbia ka shtuar përpjekjet për të betonuar një situatë të “konfliktit të ngrirë” me Kosovën. Ky skenar i shërben më së miri establishmentit ekzistues në Beograd sepse krijon rëndësi rajonale dhe ndërkombëtare si shtet që mban çelësin e (jo)stabilitetit në Ballkan, por edhe në rrafshin e brendshëm shfrytëzon fiksim shoqëror në Serbi me dominancën e tyre në raport me shtetet/popujt e tjerë në dëm të zhvillimeve negative të brendshme siç janë autokracia dhe mungesa e sundimit të ligjit. Serbia vijon të kalkulojë që qëllimet e saj strategjike vështirë se do t’i arrijë në formë të lehtë, siç janë integrimi i përshpejtuar në BE apo edhe marrja e timonit për dominimin e popujve të tjerë më të vegjël, kështu që tani më synon ta përdorë instrumentin rus të shkaktimit të problemeve dhe ngadalësimit të proceseve. Për t’i arritur këto qëllime ajo kombinon instrumente diplomatike, ushtarake e ekonomike si më poshtë:

Në aspektin diplomatik, Serbia haptas është angazhuar për jetësimin e partneriteteve strategjike me Kinën e Rusisë, fuqi këto të cilat hapur punojnë në dëm të interesave të shteteve perëndimore dhe organizatave multilaterale siç janë NATO dhe BE. Ajo përdor kontestin e pazgjidhur me Kosovën si një shantazh jo vetëm për Kosovën, por edhe shtetet perëndimore, duke rritur artificialisht pozicionin e saj më shumë se ç’mund të projektojë. Me fjalë të tjera, veprimet e tilla dëshirojnë të dërgojnë mesazh (pjesërisht me sukses deri më tani), se Serbia vendos për stabilitetin në rajon përderisa është faktor “vendimmarrës” në raport me Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Në aspektin ushtarak, armatosja e Serbisë përtej nevojës vetëmbrojtëse të saj nuk duhej parë si një veprim të një vendi sovran, por si një kërcënim imanent për fqinjët e sidomos Kosovën. Ajo vijon armatosjen me armatim ofanziv përfshirë dhe raketat tokë-ajër nga Rusia e Kina përderisa në anën tjetër është tërhequr nga kontributi me forca në misionet paqeruajtëse të BE-së dhe të OKB-së. Dislokimi i shtuar i forcave në kufi me Kosovën përbën shqetësim permanent për popullatën përderisa skenari i shfrytëzimit të një momenti të volitshëm për dislokim forcash në veri duket çdoherë më i pranishëm. Serbia do të synojë ta shfrytëzojë mungesën e një kohezioni të madh brenda NATO dhe rrjedhimisht brenda kontingjenteve të KFOR-it, ku pjesë e saj janë edhe njësitë nga disa shtete të cilat kanë marrëdhënie të shkëlqyera me Beogradin e sidomos me presidentin serb Vuçiq. Megjithatë, duhet pranuar që gatishmëria vepruese e ushtrisë serbe nuk është në nivelin siç proklamohet duke pasur parasysh rënien e moralit të ushtarëve e eprorëve serbë dhe numrit të madh largimesh të personelit.

Në aspektin ekonomik, Serbia do të tentojë ta shtrijë dominimin nëpërmjet produkteve duke subvencionuar kompanitë për ta rikthyer tregun në Kosovë. Ajo ekonominë e sheh si instrument jo të bashkëpunimit rajonal, por të hegjemonisë në dëm të Kosovës dhe shteteve të tjera më të vogla. Tregues të kësaj gjendje janë barrierat jotarifore që iu imponohen prodhuesve tanë si dhe vështirësitë që iu shkaktohen ndërmarrësve tanë për eksportimin e mallrave në Serbi dhe ato të cilat kanë për transit Serbinë.
Me gjithë këto sfida, pyetja shtrohet se si duhet ne t’u kundërvihemi këtyre veprimeve destruktive nga Beograd?
Sigurisht se qeveria ekzistuese ka një bazë të dobët qoftë në aspektin e resurseve, por edhe në aspektin e legjitimitetit të saj për t’u rezistuar sfidave që vijnë nga jashtë. Megjithatë, pa hyrë në aspektin ekonomik dhe politik që kërkojnë një shtjellim më të madh, qeveria duhet që ta shtyjë përpara procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri i cili duket se nuk është sipas dinamikës së paraparë. Dinamika e këtij tranzicioni është jetik në raport me sfidat strategjike që vijnë nga Serbia dhe rrjedhimisht Ministria e Mbrojtjes duhet të kursehet në maksimum nga implikimet buxhetore sado që mund të justifikohen ato për momentin e pikërishëm. Po ashtu, qeveria duhet ta shtojë komunikimin me KFOR dhe të ushtrojë një formë të “pronësisë” ndaj temave ushtarake, përfshirë edhe ato brenda fushëveprimit të KFOR-it, duke ruajtur rëndësinë dhe ushtruar autoritetin civil, sidomos në raport me temat e sfidat jetike sikurse kjo. Në anën tjetër, duhet edhe një mobilizim më i shtuar i policisë dhe rritja e gatishmërisë vepruese, në veçanti e Njësisë Speciale, e cila duhet të jetë e gatshme si ndërhyrëse e parë në raport me ruajtjen e kufirit dhe me zhvillimet e mundshme në veri dhe gjetiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka pritur…