Shahini: “Epoka e Re”, 26 vjet zë i guximit, i së vërtetës dhe i informimit për Kosovën
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka uruar gazetën e përditshme ‘Epoka e re’ në 26-vjetorin e themelimit.
Ai ka theksuar se “Epoka e Re” 26 vjet ishte zë i guximit, i së vërtetës dhe i informimit për Kosovën.
“Gazeta ‘Epoka e re’ është më shumë se gazetë – është ndërgjegje publike, është guxim për të thënë të vërtetën, është dritë në kohë sfidash. Për 26 vite, ajo ka qëndruar e palëkundur në mbrojtje të fjalës së lirë, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi, Epoka e Re ka qenë zë dhe përkrahëse e vazhdueshme e iniciativave të Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe e komunitetit të biznesit të Kosovës, duke ndërtuar një partneritet të sinqertë dhe të qëndrueshëm që vazhdon edhe sot”.
“Në emër të AKB-së, komunitetit të biznesit të Kosovës dhe në emrin tim personal, ju uroj që të vazhdoni të jeni dritare e hapur e së vërtetës, me rrezatim të fortë ekonomik, profesional dhe kombëtar, gjithmonë pranë qytetarit dhe interesit publik të Kosovës. Urime 26-vjetori! Respekt për punën, guxim për fjalën dhe suksese pa fund në vitet që vijnë!”, ka uruar Shahini.



