Shahini: Është e lehtë të premtohet rritja e pagës me buxhet të huaj
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, çështjen e rritjes së pagës minimale e sheh më shumë si një premtim të Qeverisë sesa një vlerësim real.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Shahini vlerëson se paga minimale duhet të rritet, por që fillimisht duhet të bëhet një analizë.
“Jemi në fushatë dhe janë të pranueshme deklarimet dhe premtimet që tashmë jemi mësuar vazhdimisht t’i dëgjojmë prej liderëve politikë, por kryeministri në detyrë nuk do të duhej të jepte ndonjë premtim, pasi ka bërë një përvojë të gjatë në institucionet e Kosovës që diçka e tillë të mos ndodhë. Besoj që paga minimale në Kosovë është më e vogla në rajon dhe ajo duhet të lëvizë, por a janë plotësuar kushtet dhe a mund të dalë paga minimale e përafërt me pagën mesatare në Kosovë. Kjo do të duhej të bëhej përmes një analize, ku në të kaluarën Këshilli Ekonomik Social, ku ka qenë pjesë edhe AKB-ja, ka bërë analiza të tregut, të fuqisë konsumuese, të investimeve dhe të gjitha këto kanë pasur një rezultat dhe kanë nxjerrë një vlerësim të rritjes së pagës minimale. Ne tashmë e shohim më shumë si vlerësim ose si premtim të Qeverisë së Kosovës sesa një vlerësim real. Duhet të kemi parasysh se paga minimale nuk ka qëllim vetëm t’i kënaqë ata punëtorë të cilët janë në këtë kategori, por duhet të kemi edhe një analizë se sa biznese në Kosovë paguajnë pagë minimale dhe cilat janë arsyet pse ata nuk paguhen më shumë”, tha ai.
Ai ka thënë se nëse rritet paga minimale dhe bizneset nuk mund të paguajnë, atëhere ekziston rreziku se ato kalojnë në informalitet ose edhe një pjesë e tyre mbyllen.
Megjithatë Shahini ka theksuar se premtimi i Kurtit po bëhet pasi që buxheti nuk është i tij.
“Nëse rritet paga minimale dhe bizneset nuk mund ta paguajnë, atëherë bizneset mund të kalojnë një pjesë në informalitet ose një pjesë deri te mbyllja e tyre. Ne nuk duhet t’i ngarkojmë bizneset, sepse gjithmonë paga minimale është duke u folur për sektorin privat dhe Qeveria e Kosovës nuk mund të rrisë pagë për sektorin privat ose ta zbresë, kur nuk merr pjesë në buxhet. Prandaj lehtë është të premtohet me buxhet të huaj, si rritja e pagës ose diçka tjetër. E rëndësishme është që bizneset janë të vetëdijshme që paga minimale duhet të rritet, por duhet të rriten edhe investimet, prodhimi, qarkullimi, eksporti, investimet dhe fondet që janë ndalur tash e dy vjet nga sanksionet. Të gjitha këto e kanë bërë Kosovën më të varfër dhe raportet ndërkombëtare tregojnë se Kosova është më e varfra dhe se paga minimale është më e ulëta”, theksoi ai.
Sipas tij, Qeveria duhet fillimisht të krijojë kushte të favorshme për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Qeveria së pari duhet ta funksionalizojë Këshillin Ekonomik Social, që është kategori ligjore. Së dyti, të hapë rrugën dhe mënyrën për investime të huaja, ta mbështesë sektorin privat, t’i rrisë fondet për mbështetje, të rrisë mundësitë e ardhjes së investitorëve të huaj në Kosovë, të ndalë gjuhën se në Kosovë mund të ketë luftë, sepse kjo është një promovim i keq, dhe ta promovojmë se është vend i mundësive dhe i sigurisë, jo si një vend i pasigurisë dhe i luftës. Nëse këto i bëjmë, me siguri që Kosova do të jetë një vend shumë më i sigurt. Mbi të gjitha duhet të krijohen raporte miqësore me faktorin ndërkombëtar, siç janë BE-ja dhe SHBA-ja, nga të cilat kemi sanksione, dhe këto sanksione po i vuan qytetari, biznesi dhe qeveria, si dhe ndalesa e integrimit të Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, pasi tash e shumë vite ne jemi të sanksionuar”, tha ai.
Shahini shtoi se duhet të bëhet një analizë pasi raportet ndërkombëtare thonë se nuk është gjendja e mire.
“Nëse paga minimale është ngritur në bazë të vlerësimeve politike, është e paqëndrueshme. Këshilli Ekonomik Social nuk ka dhënë vlerësim, as punëdhënësit e as punëmarrësit. Kjo është vetëm një propozim i Qeverisë së vendit pa analizë. Ne nuk jemi kundër që paga të rritet, por të bëhen analiza se në çka është mbështetur rritja, cilët parametra ekonomikë i kemi në rritje dhe çka është nxitja për rritjen e pagës minimale. Ne e vlerësojmë prapë që paga minimale duhet të rritet, por të rritet në bazë të argumenteve që përmbushin pesë kriteret e rritjes së pagës. Nëse ne jemi në aq gjendje të mirë, ndërsa raportet ndërkombëtare po thonë se jemi keq, atëherë vlen të analizohet kjo çështje”, shtoi ai.
Vendimi për rritjen e pagës minimale nga 350 euro bruto në 425 euro bruto është marrë me 30 dhjetor nga Qeveria në detyrë.
Ndërsa pak ditë më parë Kurti e ripostoi “lajmin” duke njoftuar se nga janari veçse do të rritet kjo pagë minimale.
“Nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash. Kurse nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro, siç edhe e kemi paraparë me vendimin që kemi marrë si Qeveri. Rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje. Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë se një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka shkruar Kurti në “facebook”.
Kujtojmë se vendimet e Qeverisë në detyrë që ishin marrë me 31 tetor ishin kritikuar.
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) patën kontestuar dhe kundërshtuar miratimin e vendimeve nga Qeveria në detyrë, duke thënë se këto vendime janë miratuar nga një përbërje e qeverisë që sipas Gjykatës Supreme është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe Ligjin. Për më tepër, vendimet e nxjerra në pritje të para mbajtjes së raundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe me mundësi të mëdha edhe para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, IKD i konsideron si vendime elektorale.



