Shahini i AKB-së: Investitorët e huaj as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike

12 gusht 2025 | 12:51

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), ka vlerësuar se mungesa e qeverisjes funksionale, çmimet e larta të energjisë dhe mungesa e sigurisë juridike e bëjnë Kosovën joatraktive për investime, duke thelluar edhe më tej varfërinë dhe pasigurinë politike.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, në intervistë “Ekonomia Online”, ka thënë se investitorët e huaj as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike.

“Kosova do të ketë rënie ekonomike të BPV-së në krahasim me vitin e kaluar diku rreth 3 për qind. Kjo na varfëron më shumë, edhe pse jemi vendi i dytë më i varfër në BE dhe në Evropë, kështu po vazhdojmë edhe më shumë. Bizneset janë shumë të dëmtuara, investitorë të huaj nuk kemi dhe as nuk pyesin të vijnë në Kosovë pas gjithë këtyre ngërçeve politike dhe gjithë atyre protestave për energji elektrike. Tashmë nuk kanë për çfarë të vijnë. Kosova nuk është më atraktive me asgjë që e nxit një investitor të vijë. Nuk kemi qeveri, Kuvend, kemi pasiguri juridike. Energjinë e kemi më të shtrenjtën në Evropë. Kjo e paraqet Kosovën si një vend jomiqësor për biznes dhe për investime. Sa më shpejt konstituimi i Kuvendit, do të kthehet vëmendja nga Kosova edhe te investitorët e huaj. Na kanë ikur investitorët vendorë edhe këtë vit. Të gjitha këto po na bëjnë më shumë të varfër, shtet jostabil që nuk promovon siguri, por varfëri dhe pasiguri politike. Kjo e çon Kosovën të jetë një vend jo i përshtatshëm për investime”, ka thënë Shahini.

Më tutje, Shahini ka thënë se Kosova ka humbur mbi 880 milionë euro fonde të dedikuara nga Bashkimi Evropian (BE) dhe janë pezulluar projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“AKB-ja ka paralajmëruar vitin e kaluar se viti 2025 do të jetë viti zgjedhor dhe i krizave zgjedhore politike. Pas tentimit të konstituimit të Kuvendit kemi administratë pasive, kemi ndalesa të kontratave, shtyrje të kontratave, sidomos nga kontratat që prodhojnë zhvillim ekonomik të vendit, kemi ngërç ekonomik dhe politik. Mos të flasim për ngërçin diplomatik, sepse tashmë e dimë që Kosova është në një moratorium diplomatik dhe politik” , ka thënë Shahini, duke shtuar se rreth 25 për qind e aktiviteteve të bizneseve prodhuese janë ndalur.

“Po ashtu, humbjet janë po aq të larta saqë nuk mund të llogarisim se a janë 300 milionë apo 1 miliard apo 1 miliard e gjysmë, për arsye se të gjitha ato burime financiare që kanë qenë të planifikuara për Kosovën, qoftë nga BE-ja për rritje dhe rimëkëmbje ekonomike, ato tashmë janë dedikuar për ndonjë shtet tjetër dhe Kosova i ka humbur ato dhe ato janë mbi 880 milionë euro. Po ashtu pjesë të tjera të fondeve jemi thuajse në humbje në shumë projekte infrastrukturore të cilat kanë qenë të planifikuara për t’u mbështetur nga fondet ndërkombëtare, janë suspenduar dhe janë ndalur tërësisht”, ka thënë Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka treguar se fitorja e…