Shahini paralajmëron shtrenjtim të produkteve në Kosovë

11 mars 2026 | 08:19

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar se tensionet në Lindjen e Mesme dhe çrregullimet në tregun global të energjisë po ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e derivateve dhe produkteve në Kosovë.

Ai tha se ngushtica e Hormuzit dhe pasojat e konflikteve rajonale kanë rritur çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar edhe në furnizimin dhe çmimet në tregun kosovar.

“Çrregullimet e tregut të derivateve të energjisë kanë filluar pas sulmeve dhe luftës në Lindjen e Mesme, ku ngushtica e Hormuzit ka ndikuar dukshëm në furnizim të tregjeve globale, e natyrisht që ato tregje kanë ndikuar edhe në tërë Evropën, pavarësisht se nëse ne i kemi marrë derivatet e naftës nga ato shtete apo jo. Por është rritur kërkesa, oferta është më e dobët dhe kemi çrregullim të tregut të furnizimit, por edhe të shtrenjtimit të derivateve. Shembulli më konkret është kur çmimi për një fuçi sot është rreth 100 dollarë, e që një fuqi ka 159 litra naftë, që i bie diku në botë nafta është rreth 60 cent për litër. Por, kur kësaj i shtohen transporti, premitë dhe taksat, kjo është një çmim shumë i lartë. Prandaj, Kosova as nuk ka rezerva të mjaftueshme si shtet, e as si biznes, për arsye se derivatet janë të shtrenjta dhe këto kërkojnë mjete financiare të angazhuara dhe bankat komerciale në Kosovë kanë interes shumë të lartë. Prandaj, ne kemi furnizime ditore dhe ato ndikojnë me automatizëm në ngritjen e çmimit në tërë tregun e Kosovës”, thotë ai.

Shahini theksoi se nëse situata në Lindjen e Mesme vazhdon, rritja e çmimeve të derivateve do të reflektohet edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë, duke rritur çmimin për transportin, industrinë dhe konsumatorët.

“Ngritja e çmimit të derivateve të naftës do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e transportit, qoftë të mallrave, qoftë të udhëtarëve, në industri dhe te konsumatorët. Prandaj, pritet që edhe produktet e tjera mund të shtrenjtohen. Inflacioni tashmë është rreth 6%, e që për Kosovën është i lartë. Prandaj, është më se e natyrshme të kenë përgjegjësi institucionet shtetërore të Kosovës, deputetët e Kosovës, politikanët e Kosovës, t’i krijojnë institucionet sa më shpejt në mënyrë që ne të kemi një qeveri, një presidencë stabile në këtë kohë të krizave, qoftë të krizave globale ekonomike, qoftë të krizave dhe kërcënimeve të njëpasnjëshme që globi po kërcënohet nga fuqitë dhe nga luftërat që janë tashmë të njohura; edhe Ukraina tash e katër vjet ku tregjet kanë ndryshuar, tash në Lindjen e Mesme ku disa shtete janë të implikuara në mënyrë direkte dhe indirekte”, u shpreh ai.

Ai paralajmëroi se rritja e kostos së transportit do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në çmimet e produkteve të importuara dhe atyre vendore, duke pasur parasysh varësinë e madhe të Kosovës nga importi.

“Në momentin kur ne rreth 7 miliardë importojmë brenda vitit të kaluar, dhe ato janë drejtpërdrejt të lidhura me transport, transporti kur shtrenjtohet me domosdo ka me u shtrenjtuar edhe produktet të cilat ne i importojmë, por edhe produktet e brendshme. Prandaj, energjia dhe derivatet janë produkt kryesor në prodhim, në shërbim, në tregti, po ashtu edhe në konsum të përditshëm dhe kjo do të ndikojë dukshëm edhe në varfërinë e shportës konsumuese të qytetarëve, por edhe në ngritjen e çmimit dhe një inflacion i cili do të mund të jetë i pandalshëm”, shtoi Shahini.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së hënë, më 9 mars 2026, ka qenë: nafta (dizel) 1.44 euro për litër, ndërsa benzina 1.17 euro për litër.

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë janë: për naftë (dizel) nga 1.44 euro për litër deri në 1.55 euro për litër, ndërsa për benzinë nga 1.26 euro për litër deri në 1.31 euro për litër.

Bazuar në vendimin e datës 4 mars 2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar prej dy eurocentësh për litër për produktin e shitur me shumicë dhe dymbëdhjetë eurocentësh për litër për produktin e shitur me pakicë. Në njoftim theksohet se marzha tregtare nënkupton ndryshimin mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazeta “New York Times” ka publikuar informacione të reja rreth…