Shaip Kadriaj: A do të heshtim, ndërsa ata që nuk na lanë vetëm po gjykohen padrejtësisht?

17 korrik 2025 | 00:06

Sekretari i PDK-së në Zvicër, Shaip Kadriaj, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat refuzuan kërkesën për heqjen e disa pikave të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Përmes një reagimi publik, Kadriaj bëri thirrje për unitet dhe për të mos heshtur përballë asaj që e cilëson si padrejtësi ndaj atyre që “s’na lanë kurrë vetëm në kohët më të vështira”.

“Mjaft më me heshtje! Ata që dhanë gjithçka për ne, sot na duhen pranë më shumë se kurrë!”, ka shkruar ai.

Më tej, Kadriaj shton se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi nuk po gjykohen për krime, por për faktin se guxuan të mbrojnë Kosovën, lirinë dhe dinjitetin e saj.

“Presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë në Hagë, jo për krim, por sepse guxuan të mbrojnë Kosovën. Ata nuk kursyen jetën për lirinë tonë, nuk kursyen trupin, as shpirtin për t’i dhënë këtij vendi flamur, shtet e dinjitet,” theksoi ai.

Sipas tij, gjykimi që po zhvillohet ndaj tyre nuk është vetëm ndaj katër individëve, por një akt që cenon vetë shtetin dhe historinë e Kosovës.

“Po fyhen dëshmorët tanë! Po shkelet mbi gjakun e martirëve, mbi plagët e invalidëve, mbi dhimbjen e fëmijëve të masakruar, dhe mbi nderin e grave të dhunuara. A do të heshtim edhe më? A do t’i lëmë vetëm ata që nuk na lanë vetëm kurrë?”

Në fund, ai bën thirrje për mobilizim qytetar.

“Koha është tani! Të bashkohemi, të ngrisim zërin, të protestojmë! Paqësisht, me dinjitet, por me vendosmëri – sepse liria nuk është e plotë pa drejtësi! Sot nuk është fjala vetëm për katër burra në burg. Sot është fjala për Kosovën!”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca dhe Italia nuk do të marrin pjesë në iniciativën…