Shaip Kadriaj: Dorëheqja e Ragip Xhakës, humbje e madhe për Degën e PDK-së në Zvicër
Sekretari i Përgjithshëm i Degës së PDK-së në Zvicër, Shaip Kadriaj, ka reaguar pas dorëheqjes së Kryetarit të Degës, Ragip Xhaka, duke shprehur keqardhje të thellë për largimin e tij nga kjo detyrë.
Në deklaratën e tij, Kadriaj thekson se Ragip Xhaka ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe ka dhënë një kontribut të çmuar për Degën e PDK-së në Zvicër, si dhe për mërgatën shqiptare në përgjithësi. Sipas tij, angazhimi i Xhakës është karakterizuar nga përkushtimi, përgjegjësia dhe një punë e pandërprerë në shërbim të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“Gjatë bashkëpunimit tonë të afërt, ai ka dëshmuar vizion, vendosmëri dhe gatishmëri të vazhdueshme për të marrë përgjegjësi në çdo moment”, ka theksuar Kadriaj.
Ai ka vlerësuar lart rolin e Xhakës në forcimin e strukturave të degës dhe në mobilizimin e mërgatës shqiptare në Zvicër, duke e cilësuar kontributin e tij si të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm.
“Në emrin tim personal dhe institucional, i shpreh falënderimin më të sinqertë dhe respektin më të lartë për gjithë punën, përkushtimin dhe energjinë e dhënë”, ka përfunduar Kadriaj.



