Shaip Kadriaj – Kandidati nr. 57 i PDK-së në shërbim të atdheut, diasporës dhe qytetarëve
Kush është Shaip Kadriaj, kandidati i PDK-së nga diaspora që do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026 në Kosovë?
Lexoni biografinë dhe angazhimin e tij politik.
Shaip Kadriaj vjen nga komuna e Suharekës, nga fshati Krushicë e Epërme, ndërsa vendbanimi i tij është në Prizren. Ai rrjedh nga një familje me traditë të thellë kombëtare dhe atdhetare, një familje që i është përgjigjur thirrjes së Atdheut në momentet më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Në luftën e fundit, familja e tij u rreshtua familjarisht në shërbim të çështjes kombëtare. Me bindjen se nuk duhet pyetur “Çfarë ka bërë shteti për ne?”, por “Çfarë mund të bëjmë ne për Atdheun tonë?”, kjo frymë e ka shoqëruar Shaipin gjatë gjithë jetës së tij.
Është i martuar dhe baba i tre fëmijëve: një vajze dhe dy djemve.
Si djalë i ri, në vitin 2007 emigroi në Cyrih të Zvicrës. Falë përkushtimit, punës dhe vullnetit të madh, u integrua shpejt në jetën shoqërore dhe profesionale. Në vitin 2009 themeloi kompaninë e tij në fushën e ndërtimit, të cilën e udhëheq edhe sot. Me kalimin e viteve, ai u afirmua si një biznesmen i suksesshëm dhe i respektuar në Zürich.
Angazhimi i Shaip Kadriajt në politikë filloi në vitin 2020, i nxitur nga rrethi i tij shoqëror dhe dëshira për të kontribuar në organizimin politik të mërgatës shqiptare.
Kur u mor vendimi për riorganizimin e PDK-së në mërgatë, Shaipi ishte ndër organizatorët kryesorë dhe kontribuuesit më aktivë në ndërtimin dhe fuqizimin e degës. Përkushtimi dhe puna e tij u vlerësuan, dhe në vitin 2021 u zgjodh Kryetar i Nëndegës së PDK-së në Zürich, pozitë të cilën e mban edhe sot.
Pas formimit të Degës së PDK-së në Zvicër në vitin 2022, dhe zgjedhjes së z. Ragip Xhaka si kryetar, falë angazhimit dhe kontributit të tij, Shaip Kadriaj u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Degës së PDK-së në Zvicër, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe sot me përkushtim të lartë. Gjatë kësaj periudhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të z. Xhaka.
Edhe pas ndryshimeve organizative në Degën e Zvicrës dhe me ushtrues detyre z. Adhurim Krasniqi, Shaip Kadriaj vazhdon të mbetet Sekretar i Përgjithshëm dhe një ndër figurat më aktive të organizimit politik në mërgatë.
Përveç angazhimeve politike në degën e Zvicrës, Shaipi ka qenë ndër organizatorët e protestave të zhvilluara në Evropë në mbështetje të çlirimtarëve të Kosovës që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Me propozim të Nëndegës dhe me miratimin e Degës së PDK-së, Shaip Kadriaj është kandidat për deputet në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës. Kryesia dhe udhëheqja e partisë, duke vlerësuar punën, angazhimin dhe kontributin e tij, e kanë renditur në listë me numrin 57.



