
Shaip Kamberi thotë se do t’i bojkotojë punimet e ardhshme të Kuvendit të Serbisë
Shaip Kamberi, i vetmi përfaqësues i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, njoftoi të martën se ka vendosur ta bojkotojë Kuvendin serb në shenjë proteste ndaj, siç i përshkroi ai, krizës politike dhe institucionale në vend, mungesës së vullnetit politik për t’i respektuar të drejtat e njeriut dhe të pakicave, posaçërisht të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në një njoftim në “Facebook”, Kamberi renditi një sërë arsyesh për të cilat tha se ka vendosur që “në këto rrethana, nuk do të marr pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë”.
“Duke pasur parasysh se komuniteti që përfaqësoj i qëndron besnik vetëm orientimit pro evropian të Ballkanit Perëndimor dhe beson fuqishëm në vlerat e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe barazisë; Duke u nisur nga fakti se respektimi i të drejtave të njeriut dhe të pakicave është themeli i çdo shoqërie të shëndoshë evropiane; Duke marrë parasysh vendimin e opozitës pro evropiane për të bojkotuar punën e Parlamentit si reagim ndaj krizës së thellë politike dhe institucionale në vend; Duke qenë dëshmitar çdo ditë i shkeljeve të vazhdueshme të të drejtave themelore të njeriut dhe të komuniteteve pakicë – në veçanti të shqiptarëve, të drejtat e të cilëve vazhdojnë të nëpërkëmben prej dekadash, përkundër tre marrëveshjeve të nënshkruara me Beogradin (2001, 2009 dhe 2013); Mosnjohja e diplomave, nënpërfaqësimi politik dhe institucional, pasivizimi administrativ dhe mungesa e perspektivës ekonomike janë bërë pjesë e një agjende sistematike që synon shpopullimin e Luginës së Preshevës nga shqiptarët; Duke vërejtur mungesën e plotë të vullnetit politik për të proceduar me nismat dhe iniciativat ligjore që do të përmirësonin pozitën e shqiptarëve në Serbi – të cilat tashmë prej muajsh mbeten të bllokuara në procedurat parlamentare”, ka thënë Kamberi, duke shtuar se duke besuar se demokratizimi i Serbisë nuk është çështje e thjeshtë e ndërrimit të pushtetit, por kërkon vullnet të sinqertë për reformë, respekt për të gjithë qytetarët dhe trajtim të barabartë për të gjitha komunitetet; në fakt, sipas tij, demokratizimi i vërtetë mund të ndodhë vetëm kur, krahas ndërrimit të pushtetit, ndodh edhe shkëputja përfundimtare nga politika imperialiste e viteve ’90-ta.
“Në këto rrethana, nuk do të marrë pjesë në punimet e ardhshme të Parlamentit të Serbisë. Përfaqësuesit politikë shqiptarë ndër vite kanë ngritur zërin në Parlament duke folur në emër të të drejtave, barazisë dhe të ardhmes evropiane, duke kërkuar respektimin e normave themelore të të drejtave të njeriut dhe duke apeluar ndaj Bashkimit Evropian për zbatimin e marrëveshjeve të vitit 2001, 2009 dhe 2013 – fatkeqësisht pa sukses”, ka pohuar ai, duke theksuar se shoqëria vërtet pro evropiane mund të ndërtohet vetëm duke garantuar kushte të barabarta dhe trajtim dinjitoz për të gjithë – përfshirë shqiptarët.
“Ajo nuk mund të ndërtohet mbi mitet e së kaluarës, as mbi trillimet historike dhe as mbi ambicien për hegjemonizëm në Ballkanin Perëndimor. Për veprimet e ardhshme politike do të njoftoheni me kohë. Të gjitha do t’i koordinojmë me aleatët tanë politikë dhe me të gjithë ata që vërtet besojnë në vlerat properëndimore dhe demokratike”, ka thënë Kamberi.
Njoftimi i Kamberit vjen dy ditë pas një proteste masive antiqeveritare në Serbi, ku morën pjesë mijëra demonstrues dhe ku pati përleshje me policinë.