Shala i FFK-së: Tifozët kosovarë mund të futen në çdo sektor

25 mars 2026 | 20:06

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka hedhur poshtë zërat që kanë qarkulluar së fundmi lidhur me ndalimin e tifozëve kosovarë për të hyrë në stadium në Bratisllavë.

Në konferencën për media para ndeshjes ndaj Sllovakisë, Shala bëri të qartë se të gjithë tifozët që kanë siguruar bileta do të lejohen të futen në stadium, pavarësisht sektorit ku janë të vendosur.

“Kanë qarkulluar informacione se tifozët kosovarë që kanë blerë bileta në sektorë të ndryshëm nuk do të lejohen të futen. Kjo nuk qëndron. Sapo kemi përfunduar një nga takimet organizative dhe të gjithë tifozët kosovarë që kanë blerë bileta do të futen në stadium, në cilindo sektor që e kanë blerë biletën”, deklaroi Shala.

Megjithatë, ai theksoi se për arsye sigurie, tifozët që do të vendosen në sektorë të përzier me tifozët vendas do të përballen me disa kufizime.

Sipas tij, në këta sektorë nuk do të lejohet shfaqja e simboleve shtetërore dhe kombëtare, për shkak të pranisë së tifozëve sllovakë dhe për të shmangur incidente të mundshme.

“Për shkak të sigurisë së tyre, shfaqja e simboleve shtetërore dhe kombëtare do të jetë më e limituar në sektorët e tjerë, pasi ata do të jenë në mesin e tifozëve sllovakë. Ky është vendim i marrë nga Federata Sllovake”, shtoi ai.

Në fund, Shala ritheksoi se pavarësisht këtyre kufizimeve, asnjë tifoz kosovar nuk do të pengohet për të hyrë në stadium, duke garantuar kështu praninë e tyre në një nga ndeshjet më të rëndësishme për Kosovën në rrugën drejt Botërorit 2026.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Egnesa Vitia, këshilltarja e presidentes Vjosa Osmani, ka reaguar menjëherë…