Shala i KMDLNj-së: Vendimi i Kushtetueses, i pakthyeshëm, protestat nuk ndryshojnë asgjë

29 maj 2020 | 18:11

Vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatarin e formimit të qeverisë së re, është i pakthyeshëm dhe nuk duhet të komentohet. Lëvizja Vetëvendosje nuk duhet t’i linçojë gjykatësit e Kushtetueses pas vendimit që morën të enjten në mbrëmje. Kështu thotë kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala, i cili thekson se LV-ja po pranon në mënyrë selektive vendimet e institucionit më të lartë juridik.

Shala thotë se në asnjë vend nuk kundërshtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pasi është i pakthyeshëm. “Ju kujtohet se kur Gjykata Kushtetuese përkohësisht e pezulloi dekretin e presidentit Thaçi atëherë nuk pati reagime. Vetëvendosja ishte e kënaqur dhe këta që janë në opozitë e tash që mendojnë të jenë në pozitë, as këta nuk patën reaguar fare. Ishte një situatë që askush nuk reagoi përpos disa zërave të humbur, të cilët as nuk marrin vesh në punët e Kushtetueses, por duan të jenë protagonistë dhe flisnin. Tani kur Gjykata Kushtetuese si instrumenti më i lartë juridik i një vendi ka marrë një vendim i cili aktualisht i shkon në favor opozitës, ndërkaq e bën opozitë pozitën, kemi reagime që unë i quaj të arsyeshme, mirëpo duhet të kenë parasysh që në asnjë vend që pretendohet se ka institucione vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen dhe janë të pakthyeshme”, thotë Shala për “KosovaPress”.

Tash e disa javë në sheshet e kryeqytetit kanë filluar përgatitjet për protesta, për ta kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dje Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur edhe një “provë për protestë”.

Por, pas vendimit të Kushtetueses është paralajmëruar edhe një protestë gjithëpopullore më 5 qershor nga militantë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Behgjet Shala, i cili udhëheq KMDLNj-në, thotë se në rast se këto protesta do të eskalojnë, atëherë do të ketë jetëgjatësi qeveria e re që do të formohet. “Në qoftë se bëhen protesta dhe çfarëdo veprimi, ju nuk mund të ktheni vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ai është diçka i pakthyeshëm, nuk e ndërron situatën dhe nuk e ndryshon raportin e forcave politike. Por, vetëm sa mund ta detyrojë atë që proteston në qoftë se del jashtë kornizave të protestës paqësore që të humbë politikisht në të ardhmen. Mendoj se pozita e tashme dhe opozita e ardhshme nuk kanë çfarë të brengosen sepse kjo qeveri që do të formohet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka jetëgjatësi dhe qëndrueshmëri”, shton ai.

Ai i quan edhe jo të ligjshme veprimet e dhunshme që mund të ndodhin pas këtij vendimi të Kushtetueses. “Nëse këto protesta eskalojnë, po e shihni që ka kundërshtime kryesisht nga LV e cila nuk është e kënaqur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, është e ligjshme të jetë e pakënaqur, por nuk është e ligjshme të marrë veprime të dhunshme ndaj këtij vendimi. Po e them se ky vendim është i pakthyeshëm, ju mund ta komentoni edhe pse komentimi nuk i ndryshon hesapet. Kjo situatë nuk ndryshohet, por protestat mund t’i mbajnë. LV-ja e ka të qartë që zgjedhjet mund të mbahen shumë shpesh”, ka theksuar Shala për KP.

Të enjten në mbrëmje Gjykata Kushtetuese ka dalë me aktgjykimin rreth çështjes së mandatarit të ri për formimin e qeverisë së re, duke i dhënë kështu të drejtë dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin Avdullah Hoti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se…