Shala i PDK-së, i shqetësuar me rritjen e importit të energjisë: Fajtore është qeveria aktuale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala është shprehur i shqetësuar për rritjen e importit të energjisë.
Sipas Shalës është rritur kostoja edhe për qytetarët.
Ai ka krahasuar rritjen e çmimit të energjisë nga viti 2019 deri më tani, ku ka thënë se shpenzimet për import janë rritur në mbi 168 milionë euro në vitin 2024.
Më tutje, Shala ka thënë se krahas kostos është rritur edhe sasia e energjisë së importuar: nga 890 mijë MWh në mbi 1.3 milion MWh.
“Këto shifra nuk janë rastësi. Ato janë pasojë e performancës së dobët të prodhimit vendor, sidomos të termocentraleve të KEK-ut, të cilat vazhdimisht përballen me rënie të njësive, riparime të stërzgjatura dhe efikasitet të ulët”, ka shkruar Shala në “Facebook”.
Ferat Shala, ka theksuar se kriza është krijuar nga keqqeverisja aktuale.
“Kjo krizë e krijuar nga keqqeverisja aktuale e bën më të domosdoshme se kurrë: investime të qëndrueshme në kapacitete të reja prodhuese, përmirësim të menaxhimit dhe llogaridhënies në KEK, zbatim të plotë të detyrimeve ligjore në planifikimin energjetik sepse siguria energjetike është themeli i stabilitetit ekonomik. Sa më shpejt të largohet nga pushteti ky mentalitet që bllokon zhvillimin e projekteve të reja, aq më shpejt qytetarët do të kenë furnizim të qëndrueshëm, siguri energjetike dhe çmime të përballueshme”, ka shkruar Shala.



