Shala: Iniciativa për ushtri nuk duhet të kthehet mbrapa

20 shtator 2018 | 17:46

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haxhi Shala, ka thënë se iniciativa e Qeverisë së Kosovës për transformimin e FSK-së është bërë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se kjo iniciativë është bërë në kohën e duhur.

“Besoj se kjo iniciativë është bërë në kohën e duhur. Në fakt, deri më tani është vonuar nga Qeveria procedimi i këtyre projektligjeve për miratim në Kuvend. Sido që të jetë, besoj se Qeveria e Kosovës është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë rreth këtyre projektligjeve. Meqë FSK-në nuk po mund ta transformojmë në ushtri me ndryshime kushtetuese, atëherë duhet t’i japim kompetenca me anë të ligjit”, ka deklaruar Shala.

Ai ka thënë se transformimi i FSK-së është domosdoshmëri e kohës dhe nuk po bëhet për poenë politik dhe elektoral. Sipas Shalës, iniciativa për ushtri duhet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës e jo të kthehet mbrapa siç ka ndodhur në të kaluarën.

“Iniciativa për transformimin e FSK-së në ushtri nuk po bëhet për poenë politike, por sepse është domosdoshmëri e kohës. Dëshiroj që tri projektligjet që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së sa më shpejt të votohen në Kuvendin e Kosovës dhe të kryhet edhe kjo pjesë e mbetur në mënyrë që FSK-ja të marrë kompetenca të reja. Iniciativa për ushtri nuk duhet të kthehet mbrapa”, është shprehur ai. Shala nuk sheh ndonjë pengesë në këtë proces, madje ai ka shprehur optimizëm se projektligjet për transformimin e FSK-së do t’i marrin mbi 100 vota në Kuvend.

“Epoka e re”: Z. Shala, javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka proceduar për miratim në Kuvend tri projektligje që kanë të bëjnë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Si e vlerësoni këtë iniciativë dhe a mendoni se është bërë në kohën e duhur?
Shala: Besoj se kjo iniciativë është bërë në kohën e duhur. Në fakt, deri më tani është vonuar nga Qeveria procedimi i këtyre projektligjeve për miratim në Kuvend. Sido që të jetë, besoj se Qeveria e Kosovës është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë rreth këtyre projektligjeve. Si komision zyrtarisht ende nuk i kemi marrë këto projektligje për të parë nga afër se çfarë ka propozuar Qeveria me anë të këtyre projektligjeve dhe se cilat kompetenca do t’i shtohen FSK-së. Mirëpo, kurdo që të vijnë në komision projektligjet për FSK-në, do t’i shqyrtojmë dhe do të shikojmë nëse ka hapësirë për të ndërhyrë. Grupi punues do ta kryejë punën e vet dhe menjëherë do t’i procedojmë për votim në seancën parlamentare. Meqë FSK-në nuk po mund ta transformojmë në ushtri me ndryshime kushtetuese, atëherë duhet t’i japim kompetenca me anë të ligjit.

 “Epoka e re”: Edhe pse nuk kanë ardhur ende në komision, keni pasur mundësi ta shikoni përmbajtjen e këtyre projektligjeve.
Shala: Si kryetar i komisionit jam koordinuar me ministrin e FSK-së dhe të tjerët që kanë punuar për hartimin e këtyre projektligjeve. Pasi t’i shqyrtojmë në komision mund të flasim më konkretisht për atë se çfarë përmbajnë projektligjet për FSK-në. Përderisa nuk i kemi pranuar zyrtarisht nuk besoj se do të ishte mirë të deklarohemi rreth përmbajtjes së tyre.

 “Epoka e re”: Kuvendi këtë herë do t’i aprovojë këto projektligje dhe nuk do të ketë kthim pas me çështjen e ushtrisë sikurse që ka ndodhur në të kaluarën.
Shala: Tri projektligjet që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së dëshiroj që sa më shpejt të votohen në Kuvendin e Kosovës dhe të kryhet edhe kjo pjesë e mbetur, në mënyrë që FSK-ja të marrë kompetenca të reja. Iniciativa për ushtri nuk duhet të kthehet mbrapa. Besoj se Qeveria e Republikës së Kosovës është koordinuar me partnerët tanë ndërkombëtarë lidhur me procedimin e projektligjeve për transformimin e FSK-së dhe nuk është bërë gabim sikur më herët.

 “Epoka e re”: Siç po thoni edhe ju, më herët është ndërmarrë një iniciativë që FSK-ja të shndërrohet në ushtri përmes ligjit, por një gjë e tillë nuk është mbështetur nga NATO-ja, BE-ja dhe ShBA-ja, të cilat kanë insistuar që ky proces të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese. Këtë herë është çdo gjë në rregull dhe në këtë rrugëtim Kosova a do ta ketë mbështetjen e këtyre partnerëve?
Shala: Këtë herë besoj se Qeveria e Republikës së Kosovës është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe se këto projektligje do të kalojnë në Kuvend. Edhe partitë opozitare janë deklaruar pro këtyre projektligjeve, prandaj shumë shpejt do të ndodhë edhe aprovimi i tyre. Në këtë drejtim besoj se Kosova do ta ketë edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

 “Epoka e re”: Kjo iniciativë nga një pjesë e opozitës po shihet për përfitime politike dhe elektorale. Po ndodh kështu si po thonë?
Shala: Nuk besoj se partitë opozitare e vlerësojnë veprimin e shndërrimit të FSK-së në ushtri si veprim për përfitime politike apo elektorale. Këtë pyetje e bëni ju gazetarët që përpiqeni të nxirrni diçka.

“Epoka e re”: Jo, nuk është pyetje e ne gazetarëve, por janë deklarata të deputetëve opozitarë. Saktësisht deputeti i Vetëvendosjes, Ali Laçi, në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, të botuar në numrin e së martës, ka thënë se kjo çështje po bëhet për poenë politikë ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Shala: Mos i shtini me një thes të gjitha partitë opozitare. Duhet të cekni se ka thënë një deputet i Vetëvendosjes, sepse Lëvizja Vetëvendosje të gjitha elementët po i sheh si poenë politikë, e jo si domosdoshmëri e ngritjes së institucioneve në nivel vendi. Çdo gjë për Vetëvendosjen është e zezë. Iniciativa për transformimin e FSK-së në ushtri nuk po bëhet për poenë politikë, por sepse është domosdoshmëri e kohës. Prandaj, ushtria duhet të bëhet sa më shpejt.

“Epoka e re”: Vonesat që janë shkaktuar në këtë proces do të mund të rikuperohen?
Shala: Çdo vonesë e ngritjes së institucioneve është në dëm të vendit por, sidoqoftë, kur proceset janë të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë, edhe vonesat mund të evitohen.

“Epoka e re”: Me këto projektligje parashihet që FSK-ja të marrë kompetenca dhe detyra të reja, por nuk do t’i ndryshohet emri. Paraqet problem një gjë e tillë?
Shala: Nuk ka rëndësi fare emri. Të rëndësishme janë kompetencat dhe detyrat që do t’i shtohen FSK-së. Ka plot ushtri në botë që emrin nuk e kanë të tillë, por e kanë fuqinë dhe misionin ushtarak.

“Epoka e re”: Me miratimin e këtyre tri projektligjeve FSK-ja do të marrë mision ushtarak?
Shala: Sapo e merr mbrojtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës ajo është gjithçka që duhet të ketë.

“Epoka e re”: Mund të ketë ndonjë pengesë deri në finalizimin e këtij procesi, meqë Lista Serbe ka bërë me dije se nuk do ta përkrahë këtë iniciativë?
Shala: Nuk besoj se do të ketë ndonjë pengesë. Besoj se transformimi i FSK-së do të kalojë në Kuvend meqë është koordinuar me faktorët ndërkombëtarë. Lista Serbe mund të mos votojë pro kësaj iniciative apo edhe mos të qëndrojë në seancë në kohën kur të votohen projektligjet për transformimin e FSK-së, por nuk mund të paraqesë ndonjë pengesë. Shumica shqiptare dhe komunitetet e tjera pakicë janë për. Besoj se projektligjet për ushtrinë do t’i marrin mbi 100 vota në Kuvend.

 Shqipe HETEMI 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat…