Shala pas operimit: Vitin tjetër do ta përfaqësoj Kosovën

13 janar 2020 | 13:08

Skitarja e Kosovës, Era Shala, me sukses e ka kaluar operimin, pas thyerjes së këmbës gjatë përgatitjeve të para të garave të Lojërave Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”. Era po trajtohet në njërin prej spitaleve më të mira në Zvicër, CHUV.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka vizituar të dielën skitaren Era Shala. Era theu këmbën e majtë, për çka iu desh që të kryejë rreth tri orë operim. Hasani në emër të Lëvizjes Olimpike në Kosovë i uroi shërim sa më të shpejtë dhe rikthim në garat e skitarisë, sport ky të cilin e do. “Era po mbahet shumë mirë. Edhe në këtë aksident që e ka pasur kishte fat sepse, sipas mjekëve, një lëndim i tillë ka mundur të ketë pasoja në karrierën e saj të ardhshme, andaj pritet që pas një periudhe të caktuar kohore të shërohet në tërësi dhe t’iu kthehet shtigjeve të skijimit dhe besoj se do të kemi shumë medalje nga Era”, ka thënë Hasani.

“Po ndihem më mirë pas lëndimit të rëndë. Të shtunën isha në trening, kur u rrëzova dhe theva këmbën. Pastaj më kanë dalë në ndihmë menjëherë trajnerët dhe ka ardhur shërbimi emergjent i Zvicrës, i cili më ka marrë me helikopter dhe më ka sjellë këtu në spital, për çka e falënderoj shumë. Jam operuar dhe tani po rikuperohem këtu. Kujdesi është shumë i mirë”, u shpreh Shala për “noc-kosovo.org”. 16-vjeçarja është dashur të debutojë të dielën për Kosovën në disiplinën e sllallomit të madh në skijimin alpin.

“Kam pritur shumë këtë moment, por ja që fati deshi të mos jem në gara. Normalisht se jam e dëshpëruar, por unë nuk do të ndalem, do të synojë ta përfaqësojë Kosovën edhe në vitin e ardhshëm”, ka shtuar Shala. Në fillim të vitit të ardhshëm do të mbahet Festivali Olimpik Dimëror Evropian (EYOF) në Vuokati të Finlandës. Në LOD për të Rinj Lozana 2020 po merr pjesë edhe skitari Drin Kokaj, i cili do të debutojë sot (e hënë) në sllallom të madh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka përfunduar takimi i Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të…