Shala pas vërshimeve: Gjendja në Drenas dhe komuna të tjera kërkon angazhim serioz institucional
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Ferat Shala, ka dalë në teren për të parë nga afër gjendjen e krijuar nga vërshimet në Drenas.
Shala ka vlerësuar se gjendja e krijuar në Drenas dhe në shumë komuna të tjera, si pasojë e vërshimeve, kërkon angazhim serioz institucional dhe qeveritar.
“Është i domosdoshëm një plan konkret, jo vetëm për menaxhimin e emergjencës, por edhe për rehabilitimin e zonave të prekura, të infrastrukturës së dëmtuar, si dhe për mbështetje financiare për bizneset dhe familjet e dëmtuara. Mbi të gjitha, nevojiten investime në sistemet e menaxhimit të ujërave. Sikurse edhe në shumë raste të tjera të vështira, edhe kjo situatë tregoi edhe një herë forcën e solidaritetit qytetar. Banorë, vullnetarë, zjarrfikës, ekipe të emergjencës dhe organizata të ndryshme u mobilizuan pa hezitim për të ndihmuar ata që kishin më shumë nevojë. Angazhimi i tyre meriton falënderim të veçantë dhe respekt të thellë”, ka shkruar Shala në “Facebook”.



