
Shala: PDK-ja nuk do të hyjë në koalicion me LV-në, i ka sjellë dëme Kosovës
Pas dekretimit të Albin Kurtit nga presidentja Vjosa Osmani si mandatar për formimin e Qeverisë së re, Partia Demokratike e Kosovës ka mohuar çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Ferat Shala ka deklaruar për “Front Online” se Partia Demokratike e Kosovës as nuk ka pasur ide, as qëllim e as kurrfarë aktiviteti në lidhje me ndonjë koalicion, duke shtuar se qëndrimet e partisë janë të qarta.
“As nuk ka pasur ide, as qëllim as kurrfarë aktiviteti në lidhje me këtë, qëndrimet e Partisë Demokratike janë të njohura nuk kemi asnjë lloj koalicioni, as nuk planifikojmë me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ai.
Shala ka thënë se PDK-ja nuk ka ndërmend të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë koalicion qeverisës, për shkak të dëmeve që, sipas tij, kjo parti i ka shkaktuar Kosovës.
“Nuk besoj që Partia Demokratike, voton një qeveri të Lëvizjes Vetëvendosje e cila e cila ka qenë deri tash në pushtet dhe Kosovës i ka pru izolim ndërkombëtar, sanksione evropiane, skamje dhe varfëri ekonomike dhe shumë dëme tjera që i ka sjell ekonomikisht dhe politikisht Kosovës”, ka thënë Shala.