
Shaqiri me mesazh prekës për Jotan: Prehu në paqe, vëlla
Lajmi i hidhur për vdekjen e Diogo Jota-s ka tronditur botën e futbollit. Sulmuesi portugez i Liverpool-it humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së enjtes në një aksident të tmerrshëm rrugor në Spanjë, së bashku me të vëllanë Andre Silva.
Sipas autoriteteve spanjolle, tragjedia ndodhi rreth orës 00:30 në autostradën A-52, pranë komunës Cernadilla, në provincën Zamora. Dy vëllezërit po udhëtonin me një Lamborghini luksoz, kur papritmas një gomë e pasme shpërtheu gjatë një manovre parakalimi. Automjeti doli nga rruga dhe u përfshi menjëherë nga flakët, duke u kthyer në një skenë të përmasave dramatike.
Mes reagimeve të shumta që kanë mbërritur nga bota e sportit, nuk ka munguar edhe ai i Xherdan Shaqirit, ish-shok skuadre i Jota-s te Liverpool-i. Dy futbollistët kanë ndarë fushën e lojës gjatë periudhës së përbashkët te “The Reds”, dhe kishin krijuar një lidhje të veçantë si miq e kolegë.
Shaqiri, i prekur nga lajmi, reagoi me një mesazh të shkurtër por të ndjerë në rrjetet sociale:
“Prehu në paqe, vëlla”, shkroi futbollisti kosovar, duke bashkangjitur edhe një foto të tyre nga koha kur ishin pjesë e ekipit të Liverpoolit.