Shaqiri: Nuk e shkarkova unë Mourinhon

21 dhjetor 2018 | 18:15

Xherdan Shaqiri është mësuar të luajë në nivele të larta, pasi në të shkuarën ka dalë kampion në Gjermani, në të njëjtën kohë edhe ka ngritur lart trofeun e Ligës së Kampionëve. Sigurisht se janë suksese madhështore për një futbollist, megjithatë ka edhe lavdi personale, si ato dy gola që e kanë ngritur në qiell anësorin nga Gjilani.

27-vjeçari i realizoi dy herë Manchester Unitedit, ndonëse hyri në fushë si zëvendësues. Shaqiri ka folur në mediet angleze, ku ka komentuar për situatën pas atyre dy golave fantastikë që, sipas tij, do të jenë pjesë e historisë për të. Anësori nuk ngurron që të flasë edhe për Kosovën, duke përmendur flamujt që mban në këpucë, madje shkon deri aty sa tregon edhe domethënien, apo dhe dedikimin për golat e shënuar ndaj “djajve të kuq”. Një rrëfim interesant, pasi tani duket se ka ndryshuar mendimi i të gjithëve për shqiptarin i cili luan për Zvicrën. “Pati një impakt të madh. Mund ta shoh te njerëzit që punojnë këtu. Kishim mbrëmjen për festat e fundvitit dhe çdokush vinte të më falënderonte. U surprizova shumë. Të gjithë po këndonin më pas: ‘Faleminderit, faleminderit, faleminderit, je një legjendë tashmë!’ Ishte bukur ta dëgjoja një gjë të tillë, por unë jam një njeri që mundohem të shoh përpara. Kemi një ndeshje për të luajtur të premten dhe na duhet t’i marrim tre pikët”, ka thënë Shaqiri.

Futbollisti shqiptar foli edhe për shkarkimin e trajnerit Jose Mourinho. “Mora shumë mesazhe nga miqtë e mi pas ndeshjes. Gjithashtu, pas shkarkimit të Mourinhos mora shumë mesazhe përsëri, pasi të gjithë më shkruanin: ‘Kjo është për fajin tënd!’, por ky është futbolli. Nuk mendoj se Unitedi e shkarkoi trajnerin vetëm për humbjen që pësoi ndaj nesh. Gjithsesi, ajo ndeshje do të mbetet gjithmonë në historinë time”, ka deklaruar Shaqiri.

Lidhur me objektivat për të ardhmen, Shaqiri ka deklaruar: “E di se si është të ngresh trofe të rëndësishëm. Është e mrekullueshme të festosh me tifozët dhe është ëndrra ime të bëj një gjë të tillë përsëri me këtë klub. Ky është objektivi ynë. Kemi treguar se mund të jemi të duruar. Jemi në rrugë të mirë. Jemi të fortë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm dhe kemi balancë të mirë në ekip. Kjo është shumë e rëndësishme për fitimin e titujve”.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka bërë…