
Shaqiri nuk ndalet me titullin te Baseli, tani ka objektiv të thyejë një rekord të madh
Baseli është rikthyer te titulli i kampionit në Zvicër pas shtatë viteve pritje.
Për gjigantin zviceran ky ishte titulli i 21-të në historinë e klubit, ku meritë padyshim kishte Xherdan Shaqiri me 18 gola e 20 asistime. Shaqiri ka folur për “20min.ch” duke shfaqur emocionet për titullin e kampionit, teksa tha se për titullin është rikthyer.
“Kjo është arsyeja pse u ktheva. Erdha me ambicie dhe qëllime të qarta. Kur u largova nga FC Basel, klubi gjithmonë luftonte për tituj”.
Ai shtuar se synimi i tij kryesor ishte “ta sillte titullin përsëri në shtëpi”, duke theksuar rëndësinë që kishte për të rikthimi te skuadra ku shkëlqeu në fillimet e karrierës.
Shaqiri pranoi se suksesi erdhi më shpejt se sa e kishte pritur: “Nuk do ta kisha menduar se do të ndodhte që në vitin e parë, por kjo e bën gjithçka edhe më të bukur. Tani kemi ende një shans për të fituar dy trofe”.
FC Basel ka tri ndeshje të mbetura përpara finales së Kupës së Zvicrës më 1 qershor kundër FC Biel.
Të mërkurën luajnë në udhëtim ndaj Lausanne, më pas përballen me Young Boys dhe në fund presin në shtëpi FC Luzern. Titulli kampion është siguruar, por Shaqiri dhe skuadra e tij synojnë të shkruajnë histori me dy trofe të fituar.
Përveç kësaj, Shaqiri është pesë pikë (gola/asistime) larg barazimit të rekordit të të gjitha kohërave të Superligës, të vendosur nga Stephane Chapuisat në sezonin 2003-2004 me Young Boys.
Nga 43 pikët (gola e asistime) e Chapuisat, 24 ishin gola. Me formën e tij aktuale të shkëlqyer, Shaqiri ka të gjitha mundësitë të thyejë edhe këtë rekord prestigjioz.