Shaqiri paralajmëron largimin nga Baseli
Xherdan Shaqiri ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij te Baseli, duke pranuar se një largim gjatë këtij afati kalimtar mbetet një mundësi reale.
Gjatë një konference për medie në fillim të përgatitjeve për sezonin e ri, mesfushori ofensiv ka deklaruar se nuk mund të garantojë që do të vazhdojë të jetë pjesë e klubit zviceran edhe pas kësaj vere.
“Është e mundur që të largohem nga Baseli gjatë këtij afati kalimtar”, ka thënë Shaqiri para gazetarëve.
Megjithatë, 34-vjeçari ka theksuar se largimi nuk është objektivi i tij kryesor dhe se ndihet i lumtur në klubin ku ka ende një vit kontratë. “Në futboll, ashtu si në jetë, gjithçka është e mundur. Nuk ka kurrë siguri. Do të shoh me kujdes se çfarë po ndodh te Baseli. Do t’i kushtoj vëmendje mënyrës se si po ndërtohet ekipi. Dua një skuadër të mirë për ta udhëhequr”, ka thënë Shaqiri.
Komentet e tij konsiderohen si një mesazh i drejtpërdrejtë për drejtuesit e klubit, pas një sezoni zhgënjyes krahasuar me vitin e kaluar, kur Baseli arriti të fitonte dy trofe. “Po përpiqem të arrij rezultatet më të mira të mundshme. Edhe unë duhet të performoj, por për këtë më duhen edhe bashkëlojtarët. Jam shumë i relaksuar për momentin. Jam shumë i lumtur te Baseli dhe kam ende një vit kontratë këtu”, ka thënë Shaqiri.
Deklaratat e Shaqirit pritet të shtojnë interesimin rreth të ardhmes së tij, ndërsa mbetet për t’u parë nëse drejtuesit e Baselit do t’i përgjigjen kërkesës së tij për një skuadër më konkurruese apo nëse veterani do të kërkojë një aventurë të re.



