Shaqiri rrëfen për përvojat në Inter, Bayern, Liverpool dhe kthimin në Basel

10 shtator 2025 | 16:41

Xherdan Shaqiri ka lënë gjurmë kudo ku ka luajtur. Sot konsiderohet futbollisti më i madh që ka përfaqësuar Zvicrën. Në një intervistë për “Gazzetta.it”, Shaqiri ka folur hapur për gjashtë muajt e tij të vështirë në Milano, keqardhjet për Juventusin dhe kthimin në shtëpi, ku ka rizbuluar lumturinë dhe fitoret. Historia e Xherdan Shaqirit është një pasqyrë e brezit të tij.

Ai lindi në Kosovë nga prindër shqiptarë, të cilët më vonë emigruan në Zvicër për një jetë më të mirë. U bë qytetar i botës që në fëmijëri dhe vazhdoi të udhëtonte gjatë gjithë karrierës: gjashtë vende, shumë gjuhë të ndryshme dhe një mori përvojash. Sot, në moshën 33-vjeçare, ai e ka gjetur lumturinë në Basel, qytetin ku u kthye pas 15 sezonesh duke bredhur nëpër botë.

Dhe aty fitoi sërish, që në përpjekjen e parë. Gjatë këtij udhëtimi të gjatë, ndaloi edhe në Itali, në një përvojë gjashtëmujore jo të lumtur në Milano. Sot në Zvicër ai është përsëri i gëzuar: një profet në vendin e tij.

Jeni rikthyer në Basel dhe fituat kampionatin që në sezonin e parë. A është Xherdani i lumtur përsëri?
Shaqiri: Po, shumë. Dhe nuk dua të ndalem. Falë Baselit, kam rizbuluar motivimin dhe buzëqeshjen time. Ndihem si një gjeni i çmendur. Sezoni i kaluar tregoi se ende kam cilësinë për të bërë diferencën.

Lëndimet ju kanë shoqëruar shpesh gjatë karrierës. Një fatkeqësi konstante që ju ka penguar?
Shaqiri: Kush e di se çfarë karriere do të kisha pasur po të mos ishin problemet fizike. Vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira. Por tani, në Zvicër, jam përsëri mirë dhe i lumtur.

Le të kthehemi pas. Në vitin 2015 mbërritët në ‘San Siro’, i sjellë nga Interi. Mançini ju kishte zgjedhur personalisht. Si shkoi ajo periudhë?
Shaqiri: Interi më kishte ndjekur për një kohë të gjatë. Mançini më telefonoi dhe më bindi brenda pesë minutash. Më tha se do të isha në qendër të projektit, por në fund nuk luajta shumë. Sigurisht, edhe problemet fizike ndikuan. Megjithatë, duke parë gjithçka, mendoj se mund të më kishin dhënë pak më shumë minuta.

Keni fituar kudo, përveçse në Milano. Çfarë lloj Interi gjetët atëherë?
Shaqiri: Rashë në një nga skuadrat më të dobëta të Interit në 15 vitet e fundit. Ishim një ekip i ndërtuar keq, pa ekuilibër dhe, sinqerisht, edhe pa asnjë kampion të madh. Më ishte premtuar shumë hapësirë, por prisja një mjedis ndryshe. Nuk kishim lojtarë të mëdhenj dhe nuk ishim të ndërtuar për të fituar.

Po dhoma e zhveshjes, si ishte?
Shaqiri: Një grup i shkëlqyer, duhet ta pranoj. Edhe pse atmosfera nuk ishte gjithmonë e qetë, e dini vetë… kur nuk fiton shpesh. Por ne argëtoheshim. Kalova shumë kohë me Kuzmanoviqin, të cilin e kisha njohur që në ekipin e të rinjve të Bazelit. Pastaj kujtoj me nostalgji shumë të tjerë: Nagatomon, Juan Jesus, Dodon.

Po Mançini? A do t’i thoshit diçka sot?
Shaqiri: Ai mund të më kishte aktivizuar më shumë (qesh)… por kam shumë respekt për të si trajner. U takuam edhe me kombëtaren dhe gjithmonë kishte fjalë të mira për mua.

A është e vërtetë që ju dërguan te një mjek “special” për trajtim?
Shaqiri: Më shumë shaman se sa mjek. Më thanë të shkoja tek një person që bënte mrekulli, që madje kishte shëruar edhe Ronaldon, Fenomenin. Mançini më tha të njëjtën gjë. Por ishte një përvojë katastrofike. Udhëtova një orë e gjysmë dhe nuk pata asnjë përfitim.

Mbërritët në Itali në janar 2015. A kishte ndonjë mundësi më herët?
Shaqiri: Mund të kisha qenë numri 10 i Juventusit disa vite më parë. Ata donin që unë të zëvendësoja Diegon, mesfushorin sulmues. Te Bayerni nuk po luaja shumë dhe isha i hapur për transferim. Por nuk ndodhi asgjë. Do të më kishte pëlqyer, por në fund gjithçka doli mirë: tani në Itali mbështes Interin.

A e ndiqni ende futbollin italian sot? Si e shihni Interin në garën për ‘Scudetton’?
Shaqiri: Interi është një skuadër e shkëlqyer dhe si e tillë duhet gjithmonë të synojë të fitojë. I kanë mbajtur yjet dhe janë forcuar. Duhet të shkojnë deri në fund në të gjitha garat. Është e vërtetë që kanë ndërruar trajner, por unë jam i sigurt: mund ta fitojnë “Scudetton”. “San Siro” është një vlerë e shtuar. E mbaj mend si një stadium fantastik, mbresëlënës kur është plot.

Duke folur për trajnerë, keni pasur shumë. Kush ishte më i miri?
Shaqiri: Guardiola është më i miri në aspektin taktik dhe të organizimit të lojës. Ai u përpoq të revolucionarizonte futbollin në Gjermani dhe te Bayerni, dhe mendoj se ia doli. Kam pasur shumë trajnerë të mirë. Dua të përmend edhe Ottmar Hitzfeld, një njeri të vërtetë, me të cilin jam shumë i lidhur. Një trajner i një epoke tjetër.

Po shokët e skuadrës? Keni luajtur me kampionë të mëdhenj, sidomos te Bayerni dhe Liverpooli. Kush ju ka lënë më shumë mbresa?
Shaqiri: Është e vështirë të veçoj një. Kam luajtur me shumë lojtarë të jashtëzakonshëm. Por nëse duhet të zgjedh, do të thosha Ribery. Ai luante në rolin tim dhe më mahniti që nga stërvitja e parë. Jashtë fushe ishte i qetë dhe gjithmonë buzëqeshte, por në fushë shndërrohej në një bishë. Çfarë driblimi, çfarë cilësie. Franck është një nga njerëzit më të mirë që kam takuar ndonjëherë në futboll.

Kapitulli i kombëtares. Ju jeni një simbol i Zvicrës. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe familjen tuaj?
Shaqiri: Zvicra dhe Kosova janë vendet më të afërta me zemrën time; ato tregojnë historinë time dhe atë të familjes sime. Të veshësh fanellën e Zvicrës është një nder dhe privilegj, ashtu si të shënosh në Kampionatin Evropian apo në Kupën e Botës. Për mua është shtëpi, familje, kujtime. Luaj edhe për prindërit e mi.

Tani që jeni përsëri i lumtur me Baselin, a keni menduar ndonjëherë të tërhiqeni? Dhe ku e shihni veten pas futbollit?
Shaqiri: Jo, nuk po mendoj për këtë. Jam 33-vjeçar dhe ende kam një dëshirë të fortë për të pushtuar botën dhe për të provuar veten. Dua të fitoj dhe të arrij edhe më shumë. Pas futbollit, e shoh veten në biznes. Kam filluar tashmë disa projekte, por futbolli është ende fokusi im kryesor. Dua të tregoj se jam ende një gjeni i çmendur. Kam ende shumë për të dhënë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Mentor…