Sharaa i Sirisë mbërrin në ShBA për bisedime me Trumpin

09 nëntor 2025 | 08:15

Presidenti sirian, Ahmed Sharaa, ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, vetëm dy ditë pasi SHBA-ja i hoqi statusin e tij si “Terrorist Global i Përcaktuar Posaçërisht”.

Ish-militanti islamist pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë të hënën, njëmbëdhjetë muaj pasi aleanca e tij rebele rrëzoi Bashar al-Assadin.

Vetëm pak orë para mbërritjes së tij në kryeqytetin amerikan, u njoftua se shërbimet e sigurisë siriane kishin arrestuar dhjetëra persona të dyshuar si pjesëtarë të grupit të ashtuquajtur Shteti Islamik (ISIS).

Bashkëpunimi për të luftuar mbetjet e këtij grupi në Siri pritet të jetë një nga çështjet kryesore në rendin e ditës gjatë bisedimeve mes Sharaa-s dhe Trumpit. Autoritetet siriane thanë se 71 persona të dyshuar u arrestuan dhe u konfiskuan armë dhe eksplozivë.

Që nga marrja e pushtetit, Sharaa ka synuar ta rikthejë Sirinë në skenën ndërkombëtare, pas dekadash izolimi nën regjimin e Assadit dhe 13 vitesh lufte civile.

Në shtator, ai udhëtoi në SHBA për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku deklaroi se “Siria po rikthen vendin e saj të merituar mes kombeve të botës” dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të heqin sanksionet.

Më herët gjatë kësaj jave, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë amerikane për heqjen e masave ndëshkuese, që përkoi me procesin gradual të Uashingtonit për lehtësimin e sanksioneve ndaj Sirisë dhe udhëheqjes së saj të re.

Të premten, Sharaa dhe ministri i tij i Brendshëm, Anas Hasan Khattab, u hoqën nga lista amerikane e individëve të dyshuar për mbështetje apo financim të grupeve ekstremiste — një vendim që Departamenti i Thesarit e cilësoi si “njohje të përparimit të treguar nga udhëheqja siriane”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pesë bashki në Shqipëri zgjedhin sot kryebashkiakët e rinj. Janë…