SHBA dorëzon të dhëna nga Google dhe Facebook, zbulohet rrjeti i komunikimit në rastin Banjska
Të akuzuarit për sulmin në Banjskë të Zveçanit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, janë dërguar para trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku po mbahet procesi gjyqësor ndaj tyre. Prokurori i rastit ka kërkuar që si prova materiale të shtohen të dhënat e pranuara nga Google dhe Meta. Këto të dhëna janë dorëzuar nga SHBA tek autoritetet e Kosovës. Raportet janë nxjerrë nga deshifrimi i telefonit të të akuzuarit Dushan Maksimoviq. Ato përmbajnë të dhëna të natyrës teknike që lidhen me llogaritë elektronike të tij.
Të dhënat përfshijnë: adresën IP të krijimit të llogarisë (Serbi), numrin e telefonit për rikuperim (me prefiks të Serbisë), aktivizimin e lokacionit, listën e kontakteve të ruajtura ku përfshihen persona të akuzuar në këtë proces gjyqësor, si dhe materiale të ruajtura në Google që përmbajnë armë dhe municion.
Gjithashtu, janë evidentuar të dhëna për navigim në Kosovë, të kërkuara përmes Google Maps, çka sipas Prokurorisë dëshmon krijimin dhe ekzistencën e komunikimit mes të akuzuarve. Nga analiza rezulton prania e armëve dhe municionit, si dhe përfshirja e tij në rrjetin e komunikimit.



