
SHBA i jep Kurtit shans për rifillimin e bashkëpunimit, por kërkon hapa konkretë
Ambasada e SHBA-ve në Kosovë është shfaqur e hapur për përmirësim të marrëdhënieve, por kjo varet nga veprimet e Qeverisë në detyrë udhëhequr nga Albin Kurti.
“Siç ia kemi bërë të qartë qeverisë në detyrë, dera është e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve dhe rifillimin e bashkëpunimit. Megjithatë, kjo kërkon hapa konkretë nga kryeministri në detyrë Kurti për të ulur tensionet dhe për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët për forcimin e paqes dhe stabilitetit si bazë për prosperitet ekonomik të ndërsjellë. Ne do të vazhdojmë të vlerësojmë veprimet e qeverisë në detyrë”, thuhet në një përgjigje për Koha.
Acarimi raporteve me SHBA erdhi si pasojë e veprimeve të Qeverisë Kurti .
Në një njoftim në Facebook më 12 shtator, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Albin Kurti gjatë një diskutimi me studentë në SHBA, ka thënë i pyetur gjatë një bashkëbisedimi të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator, tha se arsyeja e pezullimit të Dialogut Strategjik është përshkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, dhe se këtu nuk mund të bëj kompromise. “Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha ai.