SHBA–Iran drejt përballjes. Perëndimi dhe Kina largohen nga Irani, alarm në Izrael
Indikacionet për një përballje të afërt ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shtohen dita-ditës, ndërsa vendet e rajonit dhe fuqitë e mëdha po marrin masa të menjëhershme sigurie.
Nga hapja e strehimoreve në Izrael, evakuimi i stafit diplomatik amerikan, deri te paralajmërimet e Kinës, Kanadasë dhe vendeve të tjera për qytetarët e tyre, tabloja e përgjithshme është ajo e një rajoni në alarm.
Në Izrael, kryetari i bashkisë së Beershebas urdhëroi hapjen e të gjitha strehimoreve publike, duke alarmuar banorët e zonës. Mesazhi i shpërndarë për qytetarët ishte i qartë.
“Me urdhër të kryetarit të bashkisë, hapje e përgjithshme e të gjitha strehimoreve publike.”
Megjithatë, zëdhënësja e Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF), Gjeneral Brigade Effie Defrin, u përpoq të qetësonte publikun, duke theksuar se nuk ka ndryshime në udhëzimet ushtarake.
“Jam në dijeni të ndjenjës së pasigurisë dhe tensionit midis publikut. IDF po monitoron nga afër situatën në Iran dhe është vigjilente e gatshme t’ju mbrojë. Nuk ka ndryshim në udhëzime. Nëse ka një ndryshim, do t’ju informojmë menjëherë.”
Në të njëjtën kohë, Departamenti i Shtetit amerikan dha “dritën jeshile” për largimin e personelit jo-thelbësor dhe familjeve të tyre nga ambasada në Izrael.
Ky vendim, i cilësuar si “largim i autorizuar”, u shoqërua me një mesazh urgjent nga ambasadori Mike Huckabee, i cili u kërkoi stafit të rezervonin fluturime “SOT” nga çdo destinacion i mundshëm. Masa të ngjashme janë marrë edhe më herët për ambasadën amerikane në Bejrut, ku direktiva ishte më detyruese.
Alarmi nuk kufizohet vetëm në Izrael
Kina lëshoi një paralajmërim të rreptë udhëtimi, duke u kërkuar qytetarëve të shmangin çdo udhëtim në Iran dhe atyre që ndodhen aty të largohen sa më shpejt. Kanadaja paralajmëroi qytetarët e saj.
Britania njoftoi tërheqjen e përkohshme të stafit të saj nga Irani, ndërsa Australia urdhëroi familjarët e diplomatëve të largohen nga Izraeli dhe Libani. Polonia, Suedia, India dhe vende të tjera kanë bërë thirrje të ngjashme për shtetasit e tyre. Kjo valë paralajmërimesh tregon shqetësimin e rritur të bashkësisë ndërkombëtare për një përshkallëzim të mundshëm.
Shtetet e Bashkuara po shtojnë praninë ushtarake në rajon
Aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford mbërriti në Izrael, pasi u nis nga Souda. Avionë amerikanë F-22 janë vendosur në bazën ajrore Ovda; 12 janë tashmë të stacionuar dhe 13 të tjerë pritet të mbërrijnë.
CNN raportoi se të paktën nëntë avionë amerikanë për furnizim me karburant ndodhen në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar Ben Gurion në Tel Aviv. Ky grumbullim trupash dhe pajisjesh tregon përgatitjen e SHBA-së për çdo skenar të mundshëm.
Atmosfera e pasigurisë po përhapet me shpejtësi në rajon, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet. Paralajmërimet, evakuimet dhe lëvizjet ushtarake e bëjnë gjithnjë e më të prekshme mundësinë e një përballjeje të drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Iranit, me pasoja të gjera për stabilitetin e Lindjes së Mesme dhe më tej.



