
SHBA-ja dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB
Mediat amerikane raportojnë se 12 diplomatë rusë me mision në Kombet e Bashkuara, janë urdhëruar të largohen nga Shtetet e Bashkuara.
Atyre u është dhënë afat që deri më 7 mars të largohen nga Shtetet e Bashkuara, e këtë e ka konfirmuar edhe emisari i posaçëm rus në Kombet e Bashkuara, transmeton Telegrafi.
Vassily Nebenzia u tha gazetarëve se Rusia do të përgjigjet ndaj kësaj lëvizje, “pasi është bërë një praktikë diplomatike”.
Në anën tjetër Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se dëbimi i tyre vjen si rezultat i aktiviteteve të tyre që nuk kishin fare të bëjmë me diplomacinë.
“Këta diplomatë të cilëve u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara, kanë qenë të angazhuar në aktivitete që nuk ishin në përputhje me përgjegjësitë e tyre diplomatike”, tha zëvëndës-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Mills.
Zyrtarët amerikanë madje kanë shpjeguar më vonë se diplomatët rusë “kanë keqpërdorur privilegjet e tyre” – duke u marrë me spiunazh që është e dëmshme për sigurinë kombëtare – duke kërkuar dëbimin e tyre.
The U.S. has informed the Russian Mission that we are beginning the process of expelling 12 intelligence operatives from the Russian Mission who have abused their privileges of residency in the U.S. by engaging in espionage activities that are adverse to our national security.
— Olivia Dalton (@USUNSpox) February 28, 2022