
ShBA-ja dhe Britania akuzojnë Rusinë se ka lëshuar një armë satelitore në hapësirë
Ushtarakët e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë akuzuar Rusinë për kryerjen e një testi të armëve anti-satelitore me bazë në hapësirë në fillim të këtij muaji, duke thënë se një satelit rus lëshoi një objekt të aftë për të synuar një satelit.
Kjo është hera e parë që ShBA-ja ka akuzuar Moskën për testimin e një arme të tillë.
“Komanda Hapësinore e SHBA-së ka prova që Rusia kreu një provë jo destruktive të një arme anti-satelitore me bazë hapësinore,” ka deklaruar Marshalli Harvey Smyth, kreu i Drejtorisë së Hapësirës në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas tij, më 15 korrik, Rusia “injektoi një objekt të ri në orbitë nga Cosmos 2543, një satelit rus që ka qenë në orbitë që nga viti 2019”.
“Veprimet e këtij lloji kërcënojnë përdorimin paqësor të hapësirës dhe rrezikojnë të shkaktojnë mbeturina që mund të paraqesin një kërcënim për satelitët dhe sistemet hapësinore nga të cilat varet bota. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të shmangë çdo testim të tillë të mëtejshëm”, ka deklaruar Harvey Smyth.
Akuza vjen mes tensioneve të ngritura midis Uashingtonit dhe Moskës për një sërë çështjesh.
Ditët e fundit ShBA-ja ka akuzuar Rusinë për një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë sulme kibernetike ndaj organizatave të përfshira në zhvillimin e vaksinave koronavirus, abuzimet e të drejtave të njeriut dhe përdorimin e mercenarëve rusë për të destabilizuar Libinë.