
ShBA-ja dhe Britania bëjnë lëvizjet e tyre në Ukrainë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë njoftuar të dielën në mbrëmje se do të pakësojnë numrin e personelit në ambasadën e tyre në Kiev, duke nisur nga familjarët dhe anëtarët e stafit jo thelbësor.
Të njëjtin vendim e ka marrë edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila ka nisur tërheqjen e stafit nga ambasada në Ukrainë, ndërsa për momentin, zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se do të qëndrojnë aty.
Kjo është shenja më e fundit që paralajmëron përshkallëzimin e konfliktit në Ukrainë, pasi të gjithë aktorët tashmë besojnë se Rusia mund të nisë pushtimin e vendit fqinj në çdo moment.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar se vendimi është marrë pavarësisht se niveli i rrezikut për personelin e ambasadës nuk është rritur në ditët e fundmi. Por sërish, vendimi ka theksuar frikën për pushtimin rus, të cilin vetë zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar si të mundshëm.
“CNN”-i ka raportuar të premten se kërkesa kishte ardhur nga vetë ambasada, për shkak se Rusia ka shtuar dhjetëra mijëra trupa në kufi me Ukrainën. Nga ana tjetër, “BBC”-ja ka raportuar se stafi në ambasadën britanike në Kiev do të përgjysmohet.
Sipas Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, trupat ruse në kufi janë 127 mijë, por Kievi zyrtar ka thënë se vendimi për të larguar stafin është “i parakohshëm” dhe “i tepruar”.
Kurse kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se unioni nuk do ta “dramatizonte” më tutje situatën duke tërhequr stafin.
“Nuk do të marrim të njëjtin vendim, pasi nuk kemi arsye specifike për ta bërë këtë”, ka thënë Borrell, para një takimi me ministrat e Jashtëm të BE-së.