ShBA-ja dhe Izraeli po punojnë për t’i parandaluar sulmet në Gaza

26 tetor 2025 | 13:04

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të shtunën se Izraeli, SHBA-ja dhe ndërmjetësit e tjerë të marrëveshjes për armëpushimin në Gaza po bashkëpunojnë ngushtë duke ndarë informacione për të penguar çdo kërcënim të mundshëm, një bashkëpunim që, sipas tij, ndihmoi në identifikimin e një sulmi të mundshëm javën e kaluar.

Departamenti i Shtetit kishte njoftuar një javë më parë se kishte “raporte të besueshme” se Hamasi mund të shkelte armëpushimin me një sulm ndaj civilëve palestinezë në Gaza.

“Publikuam një njoftim përmes Departamentit të Shtetit, e dërguam edhe te ndërmjetësit tanë, për një sulm të afërt që nuk ndodhi,” u tha Rubio gazetarëve gjatë udhëtimit nga Izraeli drejt Katarit, ku u takua me Presidentin Donald Trump për një tur të përbashkët në Azi. “Ky është qëllimi, të identifikojmë një kërcënim përpara se të ndodhë.”

Rubio shtoi se disa vende janë të interesuara t’i bashkohen forcës ndërkombëtare të stabilizimit që pritet të dërgohet në Gaza, por se kërkojnë më shumë detaje për misionin dhe rregullat e angazhimit, raporton AP.

Sipas tij, SHBA-ja mund të kërkojë një rezolutë të OKB-së që mbështet krijimin e kësaj force, në mënyrë që më shumë vende të marrin pjesë. Ai tha se Washingtoni ka zhvilluar bisedime me Katarin, Egjiptin dhe Turqinë, ndërsa ka shprehur interes edhe nga Indonezia dhe Azerbajxhani.

“Shumë prej vendeve që duan të marrin pjesë nuk mund ta bëjnë pa një mandat ndërkombëtar,” shtoi Rubio.

Ai gjithashtu njoftoi se javën e ardhshme, kryetari i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, gjenerali Dan Caine, pritet të vizitojë Izraelin, duke u bërë pjesë e serisë së zyrtarëve amerikanë që kanë shkuar atje kohët e fundit.

Në fillim të javës, zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe këshilltari i Presidentit Trump, Jared Kushner, vizituan Izraelin për të forcuar marrëveshjen e brishtë të armëpushimit. Rubio mbërriti në vend pak pasi Vance u largua, ku u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe vizitoi një qendër koordinuese të drejtuar nga SHBA, që monitoron respektimin e armëpushimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë…