
ShBA-ja e di kush janë aleatët e saj, Kurti rrezikon marrëdhëniet strategjike
Analisti politik Azem Vllasi ka folur mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në tërësi mbeten ndër aleatët më të përkushtuar të SHBA-së në Evropë.
Vllasi tha se çdo administratë amerikane është e vetëdijshme për këtë miqësi strategjike, por paralajmëroi se sjelljet politike të Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojnë këtë raport të çmuar.
“Kosova dhe Shqipëria, si dhe shqiptarët në tërësi, janë aleatë strategjikë dhe më të përkushtuarit për miqësi me SHBA-në nga të gjitha vendet dhe popujt e Evropës. Këtë e di çdo administratë dhe president i SHBA-së” theksoi Vllasi.
Ai shtoi se pezullimi i dialogut strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës është pasojë direkte e sjelljes së kryeministrit Albin Kurti.
“Dialogu strategjik me Kosovën është pezulluar shkaku i sjelljeve kryeneçe të Albin Kurtit. Por, me të, nëse mbetet kryeministër dhe i korrigjon gabimet e veta — ose pa të, dialogu strategjik i SHBA-së me Kosovën do të vazhdojë” deklaroi Vllasi.
Vllasi deklaroi i se çdo përpjekje për të dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara është e dëmshme për interesat e Kosovës dhe i shërben Serbisë.
“Kush i prish raportet e Kosovës me SHBA-në, ai punon kundër interesave tona dhe për interesat e Serbisë” përfundoi Vllasi. /Frontonline