SHBA-ja forcon kufizimet e udhëtimit në Kubë

05 qershor 2019 | 11:45

Departamenti amerikan i Thesarit i ka forcuar kufizimet për udhëtimin në Kubë, si hakmarrje ndaj “rolit destabilizues” të këtij vendi në rajonin e Hemisferës Perëndimore.

Departamenti përmes një deklarate të martën ka njoftuar se ka ndaluar udhëtimin në Kubë të grupeve edukative të njerëzve, një nga mënyrat kryesore që amerikanët vizitojnë ishullin e Karaibeve. Mijëra amerikanë filluan ta përdorin këtë metodë për të vizituar dendin komunist, edhe para se administrata e ish presidentit Barak Obama të rivendoste marrëdhëniet e plota diplomatike me Kubën në vitin 2014.
Departamenti i Thesarit gjithashtu ndalon udhëtimin në Kubë të avionëve dhe anijeve të korporatave private. Fluturimet komerciale ajrore me sa duket lejohen të vazhdojnë, ku përfshihen udhëtimi i grupeve universitare, të gazetarëve dhe të personave që ndjekin takime profesionale.

Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin, tha se masat e reja ndaluese u imponuan për shkak të rolit të Kubës në rajon, përfshirë mbështetjen e tij për presidentin venezuelian, Nicolas Maduro.
“Kuba vazhdon të luajë një rol destabilizues në Hemisferën Perëndimore, duke siguruar një pikëmbështetje komuniste në rajon dhe duke përkrahur kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara në vende si Venezuela dhe Nikaragua, duke nxitur paqëndrueshmëri, duke minuar sundimin e ligjit dhe duke shtypur proceset demokratike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se këto veprime do të ndihmojnë për të mos lejuar që dollarët amerikanë të shkojnë tek shërbimet ushtarake, të zbulimit dhe të sigurisë në Kubës.

Departamenti i Thesarit ka treguar se sanksionet e reja ndaj Kubës do të hynë në fuqi pasi të botohen të mërkurën në Regjistrin Federal./voa/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas klasifikimit të revistës “Forbes”, Rihanna nuk është vetëm një…