ShBA-ja godet një tjetër anije në Paqësor, tre të vrarë

23 tetor 2025 | 08:17

Forcat amerikane kanë goditur një anije të dytë të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor, si pjesë e një fushate të zgjeruar të SHBA-së kundër kontrabandës ndërkombëtare të drogës në det.

Sipas sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, në sulmin e ditës së djeshmeu vranë tre persona, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u lëndua. Kjo ndërhyrje ndodhi vetëm një ditë pas një sulmi tjetër amerikan ndaj një anijeje në të njëjtën zonë, ku u raportuan dy të vrarë.

“Me urdhër të Presidentit Trump, Departamenti i Luftës kreu një tjetër sulm kinetik vdekjeprurës ndaj një anijeje të operuar nga një organizatë e shpallur terroriste. Këta nuk janë thjesht trafikantë droge – këta janë narko-terroristë që sjellin vdekje dhe shkatërrim në qytetet tona. Këto sulme do të vazhdojnë, ditë pas dite.” shkroi Hegseth në platformën X (Twitter).

Sipas Pentagonit, të dyja anijet besohet se transportonin drogë përgjatë rrugëve të njohura të trafikimit në ujërat ndërkombëtare të Paqësorit.

Këto janë sulmet e tetë dhe të nënta të SHBA-së kundër anijeve të dyshuara për trafik droge që nga 2 shtatori, por të parat në Paqësor, pasi shumica janë zhvilluar në Detin e Karaibeve.

Presidenti Donald Trump mbrojti vendimin për të goditur anijet në ujëra ndërkombëtare, duke thënë se ka autoritet ligjor për ta bërë këtë, por se mund t’i drejtohet Kongresit nëse operacionet shtrihen në territor.

“Na lejohet ta bëjmë këtë, dhe nëse e bëjmë nga toka, mund të kthehemi në Kongres,” tha Trump nga Zyra Ovale. “Ne jemi plotësisht të përgatitur për të zgjeruar operacionet kundër drogës, nëse është e nevojshme.”

Sipas raportimeve të Pentagonit, të paktën 37 persona janë vrarë në sulmet ajrore amerikane ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge gjatë javëve të fundit, përfshirë edhe një anije gjysmë-nëndetëse në Karaibe.

Dy persona që i mbijetuan një sulmi të javës së kaluar janë riatdhesuar në Kolumbi dhe Ekuador pas marrjes në pyetje nga forcat amerikane.

Operacionet e reja përfaqësojnë një shtrëngim të ndjeshëm të strategjisë amerikane kundër trafikut të drogës, që administrata Trump e ka lidhur me “luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një kombinim i ri ilaçesh ka treguar se mund ta…