ShBA-ja hedh raketa në Iran, alarmohet bota

22 qershor 2025 | 07:57

Është mëngjes në Lindjen e Mesme, një rajon që po përgatitet për të panjohurën pasi ShBA-ja hyri zyrtarisht në konfliktin Iran-Izrael të dielën, duke kryer sulme ndaj disa objekteve kyçe bërthamore iraniane, shkruan CNN.

Veprimet janë përshkruar nga Presidenti Donald Trump si “të suksesshme”, por gjithashtu rrezikojnë ta përshkallëzojnë më tej konfliktin dyjavor, me Iranin që më parë kishte premtuar se çdo sulm nga SHBA do të sillte hakmarrje.

Këto janë në pika të shkurtëra zhvillimet më të fundit:

Sulmet e SHBA-së: Presidenti Donald Trump njoftoi për sulmet të shtunën vonë në mbrëmje në SHBA, duke thënë se ato kishin goditur objekte bërthamore iraniane përfshirë Fordow, Natanz dhe Isfahan. Këto janë vende të rëndësishme; Natanzi është objekti më i madh për pasurimin e uraniumit në Iran, dhe Fordow është një vend shumë sekret i ndërtuar thellë në male.

Fjalimi i Trumpit: Në një fjalim kombëtar nga Shtëpia e Bardhë, Trump i quajti sulmet një “sukses spektakolar ushtarak” dhe pretendoi se objektet bërthamore ishin “shkatërruar plotësisht dhe tërësisht”, pa dhënë prova. Ai gjithashtu paralajmëroi se SHBA mund të godasë objektiva të tjerë nëse Irani nuk kërkon paqe. Në një postim në rrjete sociale më pas, ai paralajmëroi Iranin se çdo hakmarrje do të përballej me forcë.

Çfarë ka thënë Irani: Zyrtarët iranianë kanë konfirmuar sulmet, sipas mediave shtetërore. Agjencia atomike e qeverisë premtoi se “kurrë” nuk do ta ndalë programin bërthamor dhe u bëri thirrje vendeve ndërkombëtare t’i dënojnë sulmet. Një këshilltar i shquar i liderit suprem të Iranit ka bërë thirrje për sulme me raketa ndaj anijeve të marinës amerikane dhe mbylljen e një rruge kyçe për eksportin e naftës. Por ende nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Ayatollah Ali Khamenei.

Reagimi i botës: Shefi i Kombeve të Bashkuara tha se është “thellësisht i alarmuar” nga sulmi i SHBA-së dhe paralajmëroi kundër përshkallëzimit të mëtejshëm. Disa vende të Amerikës Latine i kanë dënuar sulmet, ndërsa të tjera kanë shprehur shqetësim dhe kanë bërë thirrje për dialog. Izraeli i ka përshëndetur sulmet dhe e ka falënderuar Trumpin për veprimin.

Çfarë pritet më tej: Bota tani po pret të shohë se si mund të reagojë Irani – dhe nëse sulmet do të përshkallëzojnë më tej konfliktin apo do ta sjellin fundin e konfliktit. Ndikimi i sulmeve dhe statusi i objekteve bërthamore nuk janë ende të qarta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veton Berisha, deputeti i Kosovës, përmes një postimi ka thënë…